Gjendet e pajetë brenda banesës vajza e aleatit të Putinit 

Gjendet e pajetë brenda banesës vajza e aleatit të Putin në rrethana misterioze
Vajza e një aleati të Putin, Natalia Bochkareva, 44 vjeç, raportohet se është gjetur e vdekur në rrethana misterioze në banesën e saj në Moskë.

Marketing

Ajo është gjetur nga një korrier, i cili thirri policinë për të raportuar se ajo nuk po i përgjigjej, teksa ai i kishte trokitur disa herë në derë. Raportohet se një ditë më parë ajo nuk është ndjerë mirë nga ana shëndetësore.

Më 11 korrik, oficerët kanë hapur me forcë derën e përparme dhe brenda gjetën trupin e pajetë të saj. Sipas të dhënave paraprake nuk ka pasur shenja të vdekjes së dhunshme, por dyshohet se Natalia vuante nga problemet në zemër.

Natalia është vajza e ish-guvernatorit rajonal, të ndjerit Vasily Bochkarev. Ai drejtoi rajonin e Penzës nga viti 1998 deri në vitin 2015. Një vit pas largimit nga detyra, 67-vjeçari, i cili i përkiste partisë “Rusia e Bashkuar” e Vladimir Putinit, ndërroi jetë nga kanceri në mushkëri.

Pas vdekjes së të atit, Natalia mori në menaxhim bizneset familjare, që janë aktivitete në përpunimin e lëndës drusore. 44-vjeçarja pushtoi titujt kryesorë të mediave dy vite më parë pasi ra viktimë e një mashtrimi. Gjatë dy muajve, ajo i kishte dërguar një fallxhoreje të vetëshpallur, 136,000 paund për të hequr një mallkim. Pas marrjes së parave, fallxhorja kishte ndërprerë çdo kontakt me Natalia dhe nuk arriti të përmbushte pjesën e saj të marrëveshjes.

Javën e kaluar, një tjetër aleat i Putinit vdiq papritur nga shkaqe të pashpjegueshme, Ministri bjellorus i Transportit dhe Lidhjeve Aleksey Avramenko vdiq në mënyrë misterioze, por shkaku i vdekjes së tij edhe nuk është zbuluar. Ndërsa në fillim të këtij muaji, një kryeprokuror rus u gjet i vdekur në një lumë.