Lirohet serbi i arrestuar në veri, Nemanja Vllaskovic

 

Njëri ndër udhëheqësit e grupeve në veri që kishte sulmuar gazetarët gjatë raportimit atje, Nemanja Vllaskovic, është liruar me dorëzani.

Marketing

Lajmin për Dukagjinin e kanë konfirmuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.

“Po është e vertetë që është liruar dje, me dorëzani”, ka thënë Lumnije Surdulli nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.
Mediat serbe kanë publikuar pamje të tij pas lirimit.

Arrestimi i Vllaskovic ishte bërë më 19 qershor. Lajmin për këtë e kishte dhënë vetë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Një nga udhëheqësit e grupit që ka sulmuar gazetarët e mediumit ‘Kallxo’ në Leposaviq me datë 29 maj, sapo është arrestuar. Nemanja Vllaskovic do të ballafaqohet me drejtësi për sulmet e kryera ndaj gazetarëve tanë”, kishte deklaruar ai.

Ndryshe, situatat e tensionuara kanë qenë evidente qysh nga fundi i majit të këtij viti, me zgjedhjen e kryetarëve të rinj. Zgjedhja e tyre u kundërshtua dukshëm nga banorët serbë, të cilët mbajtën protesta në vazhdimësi.

Nga këto protesta, gazetarët u sulmuan fizikisht nga ana e protestuesëve. Njëherit, atyre iu dëmtuan pajisjet dhe veturat.

Të lënduar pati edhe ushtarë të KFOR-it.