Republika Sërpska miraton ligjin që e bën shpifjen vepër penale

Parlamenti i Republikës Sërpska – entitetit serb në Bosnje-Hercegovinë – e ka miratuar sërish ligjin që e kriminalizon shpifjen, dhe i cili, sipas kritikëve, do ta kufizojë lirinë e shprehjes dhe do t’i heshtë kritikët e medias.

Marketing
Ligjvënësit e kanë miratuar ligjin me 47 vota për dhe 16 kundër.

Kuvendi që funksionon në këtë pjesë të Bosnjës i ka 83 ligjvënës, mirëpo jo të gjithë kanë marrë pjesë në seancë.

Ligji është shtyrë përpara nga presidenti pro-rus i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, i cili është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe për politikat e tij përçarëse.

Ligji i ri e ndryshon ligjin aktual, për t’i rikthyer gjobat në deri 60.000 euro për shpifje.

Kjo shumë është përtej asaj që mund ta përballojnë banorët e Bosnje-Hercegovinës.

Ligji paraprak nuk e ka konsideruar shpifjen si shkelje penale.

Organizatat e gazetarëve në Republikën Sërpska, dhe organizata ndërkombëtare për të drejta të njeriut, kanë thënë se ligji i ri nuk duhet të miratohet, mirëpo Dodik nuk i ka dëgjuar kërkesat e tyre.

“Me miratimin e sotëm të ndryshimeve në Ligjin Penal, autoritetet e Republikës Sërpska kanë hyrë në një fazë të re të shtypjes së hapur të qytetarëve dhe u janë bashkuar regjimeve më të këqija autoriteteve në këtë pjesë të botës”, ka thënë organizata Transparency International.

Gazetarët serbë në Bosnje i kanë mbajtur disa protesta kundër këtyre ndryshimeve.

Dodik dhe partia e tij, Aleanca e Social-Demokratëve të Pavarur, ka tentuar që disa kohë ta shtrëngojë pushtetin në Republikën Sërpska.

Ky entitet, bashkë me dy entitet tjera, të boshnjakëve dhe kroatëve, janë krijuar pas luftës së viteve 1992-1995, që i ka lënë 100.000 persona të vdekur.