Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore nuk ka të ndalur

 Rritje të çmimeve nga produktet bazë sërish vërejnë qytetarët. Piku i verës, me ardhjen e mërgimtarëve dhe shtimit të kërkesës për blerje, tregtarët kanë lëvizur çmimet për disa denarë në pothuajse 40% të produkteve ushqimore dhe higjienike. Nëpër marketet që vizituam, faturat tregojnë se buka e prerë po shitet 40 denarë, ndonëse më herët ishte 33 denarë. Qumështi tetra-pak ishte 52 denarë tani shitet 55. Kilogrami i djathit u rrit për 10-12 denarë kurse i kaçkavallit për 19-20 denarë. Po ashtu rritje të çmimit të mishit të freskët të gjedhit është vërejtur këtë muaj për së paku 30 denarë, tregojnë të dhënat e terrenit. Qytetarët thonë se nuk po arrijnë ti ushqejnë familjet e tyre.

Marketing

 “Katastrofë, shpirti jonë e di qysh jena tu mbijetu. Për ardhmërinë tonë është shumë keq. Çdo artikull është shtrenjtuar, përpara me 200 euro e ke mbushur një karrocë, tani 500 nuk të dalin. Nga dy punë jemi duke i punuar dhe sërish nuk ja dalim deri në fund të muajit. Kjo do të thotë se shpejtë do ti ikim prej këtu. DO ta braktisim vendin nga zori,” u shpreh një qytetar.

 “Na gënjejnë, thonë se do ti zbresin çmimet, ata i kanë ngritur 100%, kurse këta i zbresin 5% asgjë hiq. Ata i kanë rritur pagat e tyre 78% kurse pensionistëve 8%. A ka logjikë kjo!?” – Qytetar.

 “Të gjitha, nga perimet deri tek frutat. Ja këtë presh e bleva 100 denarë. Qumështi është shtrenjtuar, kosi, djathi, të gjitha. Nuk e di ky shtet çfarë mendon për popullin, ata mendojnë për vete, politikanët sjellin vendime në favor të tyre dhe nuk mendojnë për popullin,” tha një qytetare.

 “Ka njerëz që qajnë për një kafshatë bukë. Kaq mund të ju them!” – tha një tjetër qytetar.

Nga ana tjetër Lidhja e Sindikatës së Maqedonisë thonë se edhe pse krahasuar me muajin paraardhës ka një rënie të lehtë të vlerës së shportës së konsumit në muajin qershor, sërish kostot e ushqimeve dhe pijeve janë rritur. Statistikat tregojnë se ushqimi është bërë më i shtrenjtë brenda një viti. Buka dhe drithërat shiten me një çmim të rritur prej gati 27%. Qumështi, djathi dhe vezët pothuajse 26%, mishi mbi 25%. Vetëm vajrat dhe yndyrat u bënë më të lira me 5.3%. Por, Oda e furrtarëve arsyetohet kështu.

 “Për shkak të prishjes së marrëveshjes ndërkombëtare nga Ukraina nuk do të kemi import të drithit dhe si pasojë çmimi i tij është ngritur rreth 3% në bursën botërore dhe kjo ka reflektuar në tregun e brendshëm. Edhe me tutje ekziston mundësia që të ketë rritje të çmimit të grurit dhe miellit nëse të korrurat sivjet nuk plotësojnë nevojën e konsumit të brendshëm dhe tregu do të jetë i detyruar të importoj nga shtete tjera,” u shprehën nga Oda e furrtarëve të Maqedonisë

Një familje 4 anëtarëshe muajin e kaluar i nevojiteshin 48.543 denarë për të mbuluar shpenzimet minimale të shportës së konsumatorit. 300 denarë më shumë për ushqim dhe pije nga maji në qershor. Shporta e konsumatorit akoma nuk mund të mbulohet me dy paga minimale. /alsat.mk