Ndryshimet kushtetuese, Besa dhe Alternativa kërkojnë heqjen e 20%

Debatin mbi draft-amendamentet për ndryshimet kushtetuese opozita shqiptare e fokusoi te mos abrogimi i referencës 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë. Kreu i Alternativës, Afrim Gashi tha se nga BDI-ja ishte e pritshme, por si u bë që Aleanca për Shqiptarët hoqi dorë nga gjuha shqipe.

Marketing

“Më thoni cilës parti, cilit politikan e cilit njeri në këtë shtet i pengon që gjuha shqipe të quhet me emrin e saj njësoj dhe jo të emërohet me eufemizma ofendues dhe diskriminues. Se e bën këtë BDI dhe LSDM, e dimë. Por pse këtë e bëri ASH këtë me të vërtet nuk e kuptoj. Derisa ministri i Drejtësisë e sjell këtë vendim dhe është njëri nga nënshkruesit, nga ana tjetër kryetari i kësaj partie në rrjetet sociale i del zot gjuhës shqipe”, deklaroi Afrim Gashi, Kryetar i Alternativës.

Deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli i cilësoi hipokrite partitë shqiptare në pushtet. Sipas tij, subjektet që më së shumti kanë folur për 20% sot nënshkruajnë propozimin në të cilin nuk parashikohet gjuha shqipe.

“Shihe janë dy çështje të kundërta. Nuk mund të shkon. Të krenohesh për gjuhën tënde dhe çështjen e gjuhës shqipe ta trajtosh nga prizmi i 20%. Të mos kesh guxim shtetëror dhe ta emërtosh siç duhet. Unë i kuptoj vendimet politike, por ka pas zyrtar politik në Qeveri shqiptar nga parti politike shqiptare që tërë kohën kanë folur për 20% ndërsa në fund ky është propozimi, nuk ka 20%”, tha Fadil Zendeli, Deputet i Lëvizjes Besa.

Partitë shqiptare në pushtet u mbrojtën me rëndësinë e integrimit në BE. Elmi Aziri nga Aleanca për Shqiptarët tha se nuk heqin dorë nga gjuha shqipe, por 20% nuk mund ta kushtëzojë integrimin e vendit.

“Ne do të vazhdojmë betejën me mjete demokratike që të hiqet përkufizimi ofendues i 20%. Por natyrisht, kjo betejë dhe beteja jonë e përbashkët për anëtarësim në BE, nuk e zëvendësojnë njëra-tjetrën, aq më pak do ta kushtëzojnë atë. Jemi të vetëdijshëm se mburoja e BE-së nuk duron definime të tilla. Përkundrazi BE është demonstrim i lirive dhe të drejtave të njeriut”, deklaroi Elmi Aziri, Deputet i ASH-së.

Deputetja e BDI-së, Arta Bilalli pa përmendur nevojën për abrogimin e 20%, kolegëve të saj maqedonas i kujtoi se çfarë bënë deputetët shqiptarë për gjuhën maqedonase së fundi.

“Identiteti maqedonas nuk cenohet me ndryshimet kushtetuese. Ne jemi dëshmitarë se gjatë këtij muaji e njohëm edhe gjuhën maqedonase në FRONTEX. Ne ishim ata shqiptarë që votuam dhe fatkeqësisht një pjesë e deputetëve maqedonas nuk votuan”, u shpreh Arta Bilalli, Deputete e BDI-së.

Në draft-amendamentet e dorëzuara nga Qeveria në Kuvend, nuk parashikohet ndërhyrje në Amendamentin 5 të Kushtetutës ku përcaktohet përdorimi gjuhës shqipe në cilësinë e gjuhës zyrtare. /Alsat.mk