Geer: Hetohet nëse janë keqpërdorur fondet evropiane

Shefi i delegacionit të BE-së në RMV, David Geer, ka konfirmuar se ka subjekte të ndryshme në vend, të cilat janë nën hetimin e Shërbimit Evropian kundër Mashtrimit nën dyshimin për keqpërdorim apo parregullsi në shpenzimin e fondeve evropiane.

Marketing

Ai nuk dha detaje nga hetimi, por theksoi se nëse hetimet rezultojnë me dyshime për aktivitete kriminale, ato raste do t’i përcillen Prokurorisë Publike në RMV. Ai konfirmoi se Shërbimi Evropian kundër Mashtrimit me seli në Bruksel, kanë përgatitur rekomandime për institucionet evropiane dhe autoritetet maqedonase për keqpërdorimin e fondeve evropiane.

“Kjo tregon se sa seriozisht BE-ja i qaset dhe kontrollon mënyrën se si shpenzohen paratë nga taksapaguesit evropianë në Maqedoninë e Veriut. Dua të theksoj se Shërbimi Evropian kundër Mashtrimit, është një organ shumë serioz, që kryen hetime se si shpenzohen paratë e BE-së. Unë konfirmoj numrin, por nuk di detaje në lidhje me vetë hetimet. Mund të konfirmoj se ka subjekte të ndryshme, që janë pjesë e atyre hetimeve. Nëse hetimet e OLAF-it rezultojnë me dyshime për veprimtari kriminale, ato raste do t’i përcillen Prokurorisë Publike, me ç’rast presim që Prokurori Publik të ndërmarrë veprime në kohë dhe ne do t’i ndjekim ato veprime nga afër.”, – deklaroi ambasadori i BE-së në RMV, David Geer.

Gjatë vizitës në Manastir, ambasadori Geer theksoi se njerëzit që keqpërdorin paratë e taksapaguesve evropianë, në fakt po i mashtrojnë qytetarët e Maqedonisë së Veriut.