Një ekip i studiuesve të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, i
udhëhequr nga drejtori, Dr Skender Asani, si dhe përfaqësuesi i Bashkësisë Fetare Islame, Dr. Mumin Omerov, ka qëndruar sot në Ankara, në Drejtorinë e Përgjithshme të Vakëfit, ku janë pritur nga ndihmësdrejtori i kësaj drejtorie, Erol Ökten.
Arsyeja e këtij takimi ishte që të sigurohet arkivi i të gjitha vakëfeve të periudhës osmane në Maqedoninë e Veriut dhe ky material të publikohet për auditorin shkencor të vendit tonë.
Me këtë rast drejtori Asani e ka njoftuar nikoqirin me punën e Institutit, veçmas me hapjen e Departamentit të Marrëdhënieve Shqiptaro-Osmane, si dhe me nevojën e madhe që – duke e jetësuar punën e këtij departamenti – fillimisht të bëhet një punë për mbledhjen, përkthimin dhe botimin e gjithë materialit arkivor të vakëfit në Maqedoninë e Veriut. Përveç kësaj, drejtori Asani ka folur edhe për mundësitë e tjera të bashkëpunimit mes Drejtorinë e Përgjithshme të Vakëfit, si për organizimin e aktiviteteve të përbashkëta shkencore, botimin e librave me dokumente etj.
Drejtori Ökten, nga ana e tij, premtoi se Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfit është në shërbim të këtyre nismave dhe u zotua se ai së shpejti do ta përgatitë dhe dorëzojë gjithë korpusin arkivor të vakëfit, që pastaj të mund të botohet. Për këtë qëllim janë krijuar ekipet që do ta ndjekin këtë veprimtari shumë të rëndësishme shkencore.
Në takim ishin të pranishëm edhe Dr. Sefer Tahiri, Dr. Sevdail Demiri, Dr. Zeqirija Ibrahimi dhe Dr. Murtezan Idrizi.