Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka deklaruar për televizionin në shërbim të regjimit serb “TV Kurir” se Ukraina dhe Greqia “nuk guxojnë të njohin pavarësinë e Kosovës sepse kjo do t’i dëmtonte ata”.
Sipas “analizës” së shefit të diplomacisë serbe, një vendim i tillë i Ukrainës vetëm mund ta dëmtojë atë, sepse atëherë do të thoshin se çështja e integritetit territorial nuk është e shenjtë, ndërsa Greqia nuk e ka njohur Kosovën dhe nuk guxon të bëjë një lëvizje të tillë për hir të popullit të saj në Qipro.
Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare thotë se Kosova është një rast unik, Daçiq pretendon se Beogradi zyrtar nuk pajtohet me këtë “sepse me këtë po përpiqet të mbulohet faji kolektiv”.
“Kaosi në skenën politike ndërkombëtare u shkaktua nga shkelja e precedentëve siç është Kosova. Atëherë është shumë vështirë të shpjegohet pse kjo nuk mund të ndodhë në pjesët e tjera të botës. Një vendim i tillë nga Ukraina vetëm mund ta dëmtojë atë, sepse atëherë do të thonë se çështja e integritetit territorial nuk është e shenjtë”, përpiqet Daçiq “ta frikësojë” Ukraninën.
Duke komentuar faktin se në takimin formal të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Athinë ishte i pranishëm edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, Daçiq thotë se nuk ka pasur flamuj dhe “për këtë arsye Kosova nuk është trajtuar si shtet i pavarur”.
“Ne kurrë nuk kemi qenë kundër pjesëmarrjes së përfaqësuesve të Kosovës, por kemi qenë kundër që ata të shënohen si shtet i pavarur. Pyetja është se çfarë ndodh kur ata nuk e respektojnë këtë. Prandaj Greqia është kujdesur për të gjitha këto. Greqia nuk e ka njohur Kosovën dhe “nuk guxon” të bëjë një lëvizje të tillë për hir të popullit të saj në Qipro”, ka thënë Daçiq.