“Këto ditë në qendër të vëmendjes është tenderi për përshtatjen e sallës “Boris Trajkovski” për nevojat e takimit ministror të OSBE-së, i cili do të mbahet në vjeshtë në Shkup. Kompania e përzgjedhur “Eurovia” fitoi sepse “ofroi çmimin më të ulët, që është kriteri i vetëm që ajo të pranohet nga Ministria e Jashtme. Çdo zgjedhje tjetër do të ishte shkelje e ligjit dhe dëmtim i buxhetit”- tha shefi i diplomacisë, Bujar Osmani, duke bërë të ditur se i gjithë dokumentacioni do të dorëzohet në të gjitha institucionet kompetente.
Konferenca ministrore e OSBE-së, në dhjetor në Maqedoninë e Veriut, do të jetë ngjarja më e madhe dhe suksesi më i madh ndërkombëtar i vendit, natyrisht edhe meritë e Bujar Osmanit. Shkupi pritet të jetë vendi ku do të takohen për herë të parë pas shumë vitesh Sekretari Amerikan i Shtetit, Entoni Blinken dhe Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov. Nikoqiri i tyre do të jetë Bujar Osmani.
Gazetari i njohur Seladin Xhezairi në analizën e tij të fundit shkruan:
“Rasti “Eurovia” është dëshmi se në prag të zgjedhjeve parlamentare, ekzistenca e të ashtuquajturës “qendra hibride, politiko-ekonomike, kundër BDI-së” nuk është shpikje e liderit të saj Ali Ahmeti, por diçka që, duke ndjekur “spin-at” e ndryshme, po merr hov gjithnjë e më shumë. Natyrisht, qëllimi është të eliminohet pozita e partisë më të madhe të shqiptarëve dhe kjo mund të arrihet pikërisht duke shpifur për kuadrot më të shquara të saj (përveç Osmanit, këtu është nënkryetari i parë i Qeverisë, Grubi, kryetari i Kuvendit të RMV-së, dhe të mos harrojmë marrëveshjen Ahmeti-Zaev për postin e kryeministrit shqiptar). Në të njëjtën kohë, qendra hibride mirëpret laramaninë e partive në bllokun opozitar shqiptar, të ndarë në 7-8 parti, nga ëndrra që nesër (kur VMRO-DPMNE të fitojë zgjedhjet) të gjejnë “një vend nën diell””.
Sipas Xhezairit, deri në zgjedhjet e ardhshme goditjet sigurisht do të pasojnë edhe në disa shtylla të tjera: oligarkia e biznesit prej kohësh prodhon aktivisht inflacion fiktiv për të minuar kontrollin ndaj tregut që mban ministri i Ekonomisë – Kreshnik Bekteshi. Nuk përjashtohet që edhe kryeparlamentari, Xhaferi, të jetë në qendër të vëmendjes.