Kryeministri i Spanjës: Lojtaret i dhanë mësim botës pas puthjes në Kupën e Botës

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka thënë të shtunën se futbollistet e shtetit të tij “i kanë dhënë mësim botës”, duke protestuar pas puthjes së shefit të federatës Luis Rubiales në Kupën e Botës.
“Lojtaret tona kanë fituar dy herë, herën e parë në fushë, dhe tani duke i dhënë mësim botës, mësim për barazinë në mes të burrave dhe grave”, ka thënë Sanchez.

Marketing

Futbollistja spanjolle Jenni Hermoso u është bashkuar protestave masive të lojtareve gra javën e kaluar, duke thënë se ajo nuk ka pranuar të puthet nga shefi i suspenduar i Federatës spanjolle Rubiales, pas fitores që kanë shënuar futbollistet spanjolle në kampionatin Kupa e Botës.

Sanchez, duke folur nga Mallaga, e ka duartrokitur qëndrimin e lojtareve.

Në një deklaratë të lëshuar javën e kaluar, futbollistet kanë thënë se nuk do të pranojnë të marrin pjesë në asnjë garë ndërkombëtare nëse në krye të Federatës së Futbollit të Spanjës do të jetë udhëheqësia aktuale.

Rubiales, 46-vjeçar, ka refuzuar të japë dorëheqje, duke provokuar zemërim në masë.

Sanchez ka thënë se Spanja është shtet feminist dhe gratë marrin vendime.

Të premten, gjykata për sporte në Spanjë, është pajtuar për ta hetuar Rubialesin për puthjen, pasi ai ka insistuar se do ta “dëshmojë të vërtetën”.

Qeveria ka nisur ankesë kundër Rubialesit përmes Këshillit Kombëtar për Sporte, duke e akuzuar për shkelje “shumë serioze”.

Rubiales është pezulluar nga Federata Botërore e Futbollit (FIFA) për 90 ditë, derisa ndaj tij të vendoset për masa disiplinore./rel