Besimi: Anëtarësimi në BE do të sjellë mbi 20 herë më shumë fonde për çdo banor

Diferenca nga “paradhoma” e BE-së në atë brenda saj është 21.8 herë më shumë fonde që do të vihen në dispozicion të vendit pas anëtarësimit në BE. Sipas përllogaritjeve të përafërta, anëtarësimi në BE do të sjellë mjete shtesë prej 2.868 eurove për çdo banor në vend, respektivisht mjete shtesë prej 5.2 miliardë eurove në pesë vite, që është në nivelin e njëjtë me buxhetin e vendit tonë për vitin 2023. “Këto janë mjete me të cilat do të mund të kemi infrastrukturë më të mirë, kushte më të mira jetese, më shumë mjete për punën e ndërmarrjeve tona dhe standard më të mirë jetese për qytetarët tanë”, shkruan në kolumnën e tij të fundit, ministri i Financave, Fatmir Besimi.

Marketing

Ministri i Financave thekson se me përafrimin e vendit në BE, në dispozicion janë më shumë fonde, respektivisht zhvillimore dhe strukturore. Ai krahason Fondin e Kohezionit, i destinuar për anëtarët e BE-së, dhe fondet e para-anëtarësimit BE-IPA. Fondi i Kohezionit destinohet për përkrahjen e vendeve anëtare të BE-së që kanë të ardhura nacionale bruto (Gross National Income) më të ulëta se 90% e mesatares së BE-27. Me mjetet nga Fondi i Kohezionit përkrahen projektet në fushën e mjedisit jetësor, si dhe rrjetet transevropiane në fushën e infrastrukturës së transportit.

“Për periudhën 2021-2027, vendet që janë shfrytëzuese të Fondit të Kohezionit janë Bullgaria, Çekia, Estonia, Greqia, Kroacia, Qiproja, Letonia, Lituania, Hungaria, Mallta, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia dhe Sllovenia, ose rreth 128 milionë banorë të BE-së. Për periudhën 2021-2027, përmes këtij fondi, në dispozicion të këtyre vendeve janë 392 miliardë euro, ose sipas përllogaritjeve të përafërta, rreth 3.000 euro për banor për këto vende (me popullsi të përgjithshme prej 128 milionë banorësh). Për periudhën e njëjtë, Fondi Paraaderues – IPA III (2021-2027) është në dispozicion të vendeve kandidate ose atyre vendeve që janë potenciale për anëtarësim në BE, në vlerë të përgjithshme prej 14.2 miliardë eurove. Sipas përllogaritjeve, IPA III siguron rreth 140 euro për banor për qytetarët e Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Turqisë (me një popullsi të përgjithshme prej 103 milionë banorësh).

Si përmbledhje, diferenca nga “paradhoma” e BE-së në atë brenda saj është 2.868 euro për banor, respektivisht 21.8 herë më shumë (3.006/138=21.8).

Ministri i Financave thekson se BE-ja parasheh edhe shumë fonde të tjera shtesë për vendet e tyre anëtare. Buxheti i BE-së për periudhën 2021-2027 është vlerësuar në rreth 2.000 miliardë euro, ndërsa mjetet janë destinuar për përkrahjen e këtyre fushave: Integrimi klimatik dhe dixhital; Tregu i përbashkët dhe inovacionet; Kohezioni, rezistenca dhe vlerat e përbashkëta; Burimet natyrore dhe mjedisi jetësor; Migrimi dhe menaxhimi i hapësirës kufitare; Fqinjësia, bota dhe administrata publike evropiane.

Në kolumnën e tij të fundit, ministri i Financave njofton lidhur me Konferencën e tretë vjetore të Forumit Ekonomik dhe Financiar të Shkupit (SEFF), e cila këtë vit i kushtohet diskutimit të efekteve dhe momentit mbi anëtarësimin në BE. Besimi paralajmëroi praninë e përfaqësuesve të lartë të Komisionit Evropian, bankave evropiane zhvillimore, institucioneve financiare ndërkombëtare si Banka Botërore dhe FMN-ja, USAID-i, përfaqësuesve të qeverive të rajonit, diplomatëve, sektorit të biznesit, opinionit akademik etj.