Rasti ”Onkologjia”: Kovaçevski – krimi ka emër dhe mbiemër, do të ketë përgjegjësi!

Kryeministri Dimitar Kovaçevski ka përshëndetur aksionin e MPB-së dhe të Prokurorisë për rastin “Onkologjia” duke theksuar se do të ketë përgjegjësi. Ai bëri thirrje që mos të bëhet senzacionalizëm dhe të mos sulmohen të gjithë mjekët dhe infermieret.

Marketing

“Janë pohime të tmerrshme që nuk guxojnë të ndodhin, kurse kemi dëgjuar gjatë 20 vieteve të kaluara. Hera e parë që zbatohet një aksion i këtillë identifikimi. Përgjegjësia ka emër dhe mbiemër, do të sanksionohen të gjithë që kanë shkelur ligjin. Nuk do të mbrojmë askend. Mund të them se lloji i këtillë I krimit është multipartiak, multietnik dhe multikulturor” – deklaroi Dimitar Kovaçevski.

Skandali i fundit i tregtisë me citostatikë në Klinikën për Onkologji është shokues – thonë nga VMRO-DPMNE-ja. Opozita pretendon se në Qeveri kanë pasur njohuri për ndodhitë në Onkologji, por kanë heshtur. Kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike.

“Shkarkimi i Drejtorit të Klinikës nuk është masë, vetëm këtë e kemi parë. Përvec mashtrimit të opinionit, nuk ka masa që duhet të ndalojnë rastet e këtilla, që si pasojë kanë humbjen e jetëve të njerëzve. Qeveria LSDM – BDI premtoi decentralizimin e trajtimit të këtyre pacientëve, kurse maksimalisht është i centralizuar. Në vend që t`I mjekojnë të sëmurit, me vite i vjedhin” – tha Lazo Jovçeski, VMRO-DPMNE.

Kanë reaguar edhe parti tjera sikurse Partia Demokratike Evropiane, partia e “Majta”, Partia Liberal-Demokrate e të tjerë që kërkojnë përgjegjësi për këtë skandal.

Ndryshe, Prokuroria njoftoi se gjatë bastisjeve në Klinikën për Onkologji por edhe nëpër shtëpitë e disa punonjësve të klinikës, janë konfiskuar kompjuterë, të dhëna digjitale dhe dokumentacione. Ekspertiza do të tregojë nëse për shkak të përfitimeve ka pasur tregti me terapitë, respektivisht me jetët e pacientëve.

Bastisjet janë në kuadër të parahetimeve të Prokurorisë, që ishin hapur pas një sërë tekstesh të botuara në javoren “Fokus”, se ekziston një rrjet I mirorganizuar kriminal në Klinikën për Onkologji, që kanë shitur terapitë e shtrenjta, ku në sistem janë vënë pacient fiktiv, kurse pacientëve tjerë në vend të terapisë së domosdoshme u janë dhënë terapi gjysmake, kurse pjesa tjetër është shitur në “tregun e zi”.