“Më mirë për Tetovën” letër të hapur presidentit për spitalin modular

Organizata joqeveritare “Më mirë për Tetovën” i ka dërguar një letër të hapur kryetarit të shtetit, Stevo Pendarovski, për rastin e spitalin moduluar të Tetovës ku humbën jetën 14 persona. Nëpërmjet kësaj letre ata i kërkojnë presidentit Pendarovski sepse nuk reagon lidhur me rastin në fjalë, por edhe me raste të tjera të ngjashme ku kanë humbur jetën të paktën 97 persona në 5 vitet e fundit. “Gjyqësori dhe prokuroria janë fytyra e krimit të organizuar dhe korrupsionit, mbrojtës të së keqes në këto 30 vite”, akuzojnë nga kjo organizatë dhe bëjnë me dije se deri sa të mos ketë drejtësi për këta persona, nuk do të ketë as qetësi.

Marketing

Letra e plotë:

I nderuari President i Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Stevo Pendarovski,

Me zhgënjim të thellë e ndjekim heshtjen tuaj për tre javë që nga publikimi i veprës monstruoze të Prokurorisë Publike për fshehjen dhe shtrembërimin e së vërtetës dhe fajtorët për zjarrin në spitalin modular në Tetovë ku 14 persona, bashkëqytetarë tanë, u dogjën të gjallë.

Është gjithashtu befasues edhe fakti që Ju reagoni shpejt ndaj temave të tjera më pak të rëndësishme në krahasim me këtë tragjedi.

Siç e dini, në vendin tonë kanë ndodhur 4 tragjedi të mëdha në një periudhë 5-vjeçare, me 97 viktima dhe ZERO ditë burg.

Të gjithë politikanët flasin për integrimin në BE, por ajo që është më e shenjtë për ne – jeta njerëzore – nuk respektohet! Nuk e dimë se si një vend që nuk mund të sigurojë drejtësi për këto 97 viktima të pafajshme, mund të nisë negociata për t’iu bashkuar vlerave dhe parimeve evropiane.

Gjyqësori dhe prokuroria janë fytyra e krimit të organizuar dhe korrupsionit, mbrojtës të së keqes në këto 30 vite, që për brezat e rinjë dhe bashkëqytetarët tanë i hodhën në humnerë dhe shkatërruan perspektivat e tyre për një jetë dinjitoze.

Sot po ballafaqohemi me diktaturën e oligarkisë të mbështetur nga sistemi i drejtësisë maqedonase. Papërgjegjësi totale dhe sundim kriminal si në pushtetin ekzekutiv ashtu edhe në atë gjyqësor.

Presim që të thirreni në arsye dhe të kërkoni përgjegjësi institucionale për ndëshkimin e krimit të organizuar brenda institucioneve, për të cilën i gjithë sistemi juridik në vendin tonë është në një qorrsokak të madh. Përfshirja edhe e institucioneve të arsimit të lartë për të fshehur të vërtetën e këtij krimi dhe anashkalimi i ekspertizës gjermane është një mesazh i keq për të ardhmen e shoqërisë në këtë vend.

Kultura e panndëshkueshmërisë ka metastazuar në të gjitha nivelet e sistemit dhe nuk e dimë se cila onkologji mund ta shërojë Maqedoninë e sëmurë nga ky kancer.

Kërkojmë përgjegjësi!

Pa drejtësi, nuk ka qetësi!