“Boom” turistik në jug, prenotime deri në muajin tetor

Bregdeti jonian këtë vit mori vëmendjen e turistëve të huaj si asnjëherë më parë.

Marketing

Kjo bëri që përgjatë gjithë verës plazhet në jug të ishin të mbipopulluara me pushues, të cilët nuk mungojnë as këtë fillim Shtatori.

Deti i pastër dhe dëshira për të parë atë që shumë është përfolur ka tërhequr turistët.

“Dëgjova shumë gjëra të bukura për Shqipërinë dhe njerëzit këtu. Ju keni një bregdet të mrekullueshëm. Unë jam e interesuar shumë edhe për kulturën, dhe më pëlqen vërtetë folklori juaj, ndërsa gjuha që flisni tingëllon krejt ndryshe nga ajo që dëgjojmë zakonisht”, tha njëra nga turistet.

“Ishim kuriozë të shihnim sesi janë vendet e Ballkanit në krahasim me Italinë, Spanjën dhe është vërtetë këndshëm. Plazhet këtu janë shumë të bukura.Është shumë lirë, sidomos në restorante çmimet janë më lirë sesa në Gjermani”, thekson një tjetër.

Bashkia e Himarës e shtrin vijën e saj bregdetare në pjesën më të madhe të Detit Jon, e kjo bën që fluksi i të huajve të jetë i lartë.

Laert Mezani, Drejtor i Zhvillimit Ekonomik, Bashkia Himarë thotë së është vizituar me më shumë se 30%, krahasuar me një vit më parë. Gjatë gjithë sezonit turistik strukturat hoteliere kanë qenë tërësisht të rezervuara.

Italianët kanë mbetur besnikë të brigjeve shkëmbore të detit jon.

Laert Mezani: Territori i Bashkisë Himarë është më i vizituari nga turistët e huaj që preferojnë turizmin blu, Italianët, spanjollët kanë qenë risi e këtij viti dhe sigurisht pjesa nordike e Europës që viziton gjithnjë e më shumë këtë territor.

Ky sezon veror për brigjet e jugut ashtu siç duke qartë nuk mbyllet as me Shtatorin.

Laert Mezani: Nga çfarë na thonë operatorët, prenotimet vijojnë deri në fillim të muajit Tetor.

Përveç pasurive të bollshme ujore, arkitektura karakteristike e fshatrave të jugut janë po ashtu magnet tërheqës për pushuesit./tvklan