MASH mund të përballet me padi për librat

Ministria e Arsimit dhe Shkencës rrezikon të përballet me padi, pasi jo të gjitha librat shkollore për të gjitha klasat janë siguruar para fillimit të vitit shkollor. Nga Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi thonë se bazuar në listën e të dhënave që me kërkesë të tyre e ka dorëzuar Ministria e Arsimit nga 126 libra që kërkohen për të gjitha lëndët e detyrueshme dhe zgjedhore në arsimin fillor nëntëvjeçar, në fillim të vitit shkollor 2023/2024, Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ka siguruar 43 tekste, përkatësisht mungojnë 34 për qind e teksteve. Sipas komisionit në fjalë, libra për të gjitha lëndët mësimore dhe në të gjitha gjuhët mësimore do të kenë vetëm nxënësit e klasës së parë dhe të dytë.

Marketing

“Nxënësit e klasave të treta e fillojnë vitin shkollor me asnjë libër në të gjitha lëndët obligative. Domethënë librat në gjuhën maqedonase, shqipe, turke dhe boshnjake nuk janë gati. Siç shkruan MASh-i, tek tani vijon shtypja, përkthimi dhe distribuimi, mund të kemi parasysh se për çfarë periudhe do të ndodh kjo, por MASh-i këtë e quan se libri është në fazën përfundimtare. Në të njëjtën fazë janë librat e shkencës natyrore dhe shoqërore për klasën e tretë. E dini çfarë? Nuk do të ketë as libër të matematikës, as deri më tani nuk ka pasur thirrje publike për formimin e ekipit autorial. Ky libër duhet të përkthehet edhe në gjuhët e tjera.”, – theksoi Vesna Bendevska nga Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Brenda javës, Komisioni do të sjellë vendim nëse do të padis MASh-in për rast me interes publik, pra për diskriminim sistematik dhe të zgjatur të studentëve. Ata rikujtojnë se secili person që mendon se i është shkelur e drejta për arsim, mund të paraqesë rastin tek Komisioni, tek avokati i popullit apo në gjykatë.

“Në këto raste, Komisioni sipas ligjit ka të drejtë të paraqesë në gjykatë ankesë në interes publik ndaj institucioneve shtetërore. Në seancën e ardhshme, do të marrim vendim përfundimtar dhe nëse e bëjmë do të jetë hera e parë që Komisioni të ngrejë një iniciativë të tillë.”, – u shpreh Vesna Bendevska nga Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, disa herë kanë deklaruar se sigurimi i teksteve shkollore që mungojnë janë në fazën përfundimtare, por Bendevska thotë se për Komisionin termi “janë në fazë përfundimtare”, d.m.th. se bëhet fjalë për libër inekzistent.