Bekteshi: Po përgatiten masa të reja ekonomike

Ministria e Ekonomisë po përgatit masa të reja që do të ndikojnë pozitivisht në gjendjen ekonomike të qytetarëve, veçanërisht atyre kategorive që janë më të prekura dhe kanë nevojën më të madhe. Paralajmërimi vjen nga ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, i cili njëherit bëri të ditur se deri në fillim të javës së ardhshme të jetë gati propozim-ribalanci i buxhetit. Bekteshi, gjithashtu u bëri thirrje prodhuesve të bukës që të mos e rrisin çmimin, ndërsa për prodhuesit e produkteve të qumështit tha se kjo çështje i takon Ministrisë së Bujqësisë.

Marketing

“Sa i përket Ministrisë së Ekonomisë, ajo do të marrë masa të tilla që do të përfitojnë qytetarët sipas kontributit që do të ketë, përfshirë edhe Ministrinë e Bujqësisë. Sa i përket bukës, në disa raste u kam bërë thirrje prodhuesve të bukës në vendin tonë, veçanërisht në rajonin e Shkupit, ato 4-5 kompani që janë më të mëdha, që të mos ndryshojnë çmimet e tyre. Ata e dinë shumë mirë se çfarë do të ndodhë me ta nëse do të kenë rritje të çmimit të bukës.”, – deklaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Bekteshi thotë se nga 5 deri 10% mund të rritet TVSh-ja e disa produkteve që janë në listën e faqes së Ministrisë së Financave.

“Mendojmë se është një listë e saktë që është përgatitur nga të gjithë ata që janë përfshirë. Të gjitha kontrollet janë bërë me të gjitha palët e interesuara dhe kjo do të ishte një qasje e drejtë për ruajtjen dhe mbrojtjen e kategorive më të rrezikuara të qytetarëve tanë.”, – theksoi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Ministri njëherit vlerëson se duhet të ketë një taksë solidariteti, por thekson se paraprakisht duhet të bëhen disa ndryshime në zgjidhjen e propozuar ligjore, duke pasur parasysh se ka kaluar shumë kohë që kur është futur në procedurë parlamentare.