Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Sijarto ka siguruar sot kryediplomatin Bujar Osmani se Hungaria mbetet mbështetëse e zëshme e procesit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian dhe kjo mbështetje e fortë do të vazhdojë edhe gjatë kryesimit hungarez të Këshillit të BE-së në gjysmën e dytë të vitit 2024.
“Hungaria e vlerëson lartë kontributin e Republikës së Maqedonisë së Veriut si vend kryesues i OSBE-së dhe mbetet e përkushtuar për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, të bazuara në miqësinë tradicionale, besimin reciprok dhe arritjet në shumë fusha”, ka thënë Sijarto.
Shefi i Diplomacisë Osmani sot në Budapest i është drejtuar Këshillit të ambasadorëve në Budapest, ku ka folur për sfidat e kryesimit me OSBE dhe rrugëtimin e vendit drejt BE.