“Spastrim etnik në Luginën e Preshevës”, gazeta gjermane ngre shqetësimin për shqiptarët atje

Gazeta gjermane “Tagesspiegel” ka publikuar një artikull me titull “Spastrimi etnik” në Serbinë jugore? Në gjurmët e popullatës shqiptare të Luginës së Preshevës.

Marketing

Artikulli nis kështu: Në jugperëndim të Serbisë shtrihet Lugina e Preshevës, e cila ndihet pjesë e Kosovës. Shqiptarët atje janë diskriminuar prej vitesh, madje disa flasin për “aparteid”.
Në atë artikull bëhet e ditur se në Luginë jetojnë 80.000 persona dhe se 70% e tyre janë shqiptarë, që ndihen të lidhur me Kosovën.

Botuesi i këtij artikulli, Eric Matt shkruan se në vitin 1992, është mbajtur një referendum dhe se 95%e banorëve kanë votuar për t’iu bashkëngjitur Kosovës.

Pas mbarimit të luftës në Kosovë, edhe në Luginë ka pasur një kryengritje të armatosur nga UÇPMB nga viti 1999-2001.

Mirëpo sipas gazetarit, ata mbeten në një tokë të askujt, në kufi me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

Aty jetojnë nga ndihmat që marrin nga diaspora. Në disa vende në tabelat e rrugëve shihet vetëm shkrimi cirilik, ndërsa emri shqip është fshirë.

Gazeta gjermane citon Hajrulla Çekun, ministrin e Kulturës së Kosovës, i cili thotë: “Spastrimi etnik po zbatohet. Serbia nuk mund ta arrinte këtë me armë dhe tani po mundohet ta bëjë në mënyrë administrative”.

“Tagespiegel” në këtë raport i qaset studimit të shkencëtares Flora Ferati-Sachsenmaier, që e ka bërë për Institutin e famshëm Max Planck dhe që do të publikohet pas pak ditësh, por që tanimë e poseduaka gazeta.

E përditshmja gjermane citon politologen shqiptare, hartuesen e studimit, se Beogradi po punon për të zvogëluar sa më shumë numrin e shqiptarëve për të krijuar gradualisht një shumicë serbe.

Sipas saj, ai ndryshim do të pamundësonte ndryshim eventual të kufijve sepse shqiptarët do të bëheshin pakicë. Studimi dokumenton shlyerjen e adresave të mijëra shqiptarëve.

Me fshirjen e adresave, ata humbasin shtetësinë dhe të drejtën e votës, si dhe të drejtat tjera qytetare.

Vetëm nga Medvegja janë fshirë 4214 adresa, domethënë 4214 shqiptarë kanë humbur shtetësinë. Sipas politologes Flora Ferati-Sachsenmaier, me këtë ligj Serbia po përpiqet të arrijë homogjenitetin nacional.

Sipas saj, gjendja është dramatike në Medvegjë.

Qyteza i kishte 7438 banorë dhe aty u janë pasivizuar adresat 4214 shqiptarëve.

Në vitin 2012 partia e Vuçiqit në atë komunë paska fituar 12% të votave, tri vite më vonë, 65%, thotë ajo.

“Tagespiegel” i është drejtuar disa herë Qeverisë serbe, por ajo nuk i është përgjigjur.

Por ka edhe raste kur njerëzit janë fshirë edhe pse nuk ishin larguar kurrë nga Serbia.

Këtu përfshihet edhe Donika Berisha, emri i vërtetë i së cilës është i ndryshëm dhe kërkon të flasë për rastin e saj në mënyrë anonime.

“Ajo u rrit këtu në qytet, u martua dhe u bë nënë. Ajo e kaloi tërë jetën në Serbi. E megjithatë vitin e kaluar autoritetet deklaruan se ajo nuk jetonte më në Preshevë dhe e fshinë adresën e saj. Ai u fshi nga regjistrat për tre muaj dhe praktikisht nuk ekzistonte më. Gjatë asaj kohe ajo mezi doli nga shtëpia dhe më kot u përpoq të kontaktonte autoritetet. Mirëpo, ata bllokuan gjithçka, pasi afati i ankesave prej tetë ditësh kishte kaluar dhe nuk mbanin më përgjegjësi. Berisha u rikthye në sistem vetëm përmes bashkëshortit dhe “disa favoreve”.

“Pa ndihmë, ndoshta do të kisha mbetur pa dokumente përgjithmonë, nuk kisha asnjë shans për veten time”, thotë Berisha”.

Enkel Rexhepi është nënkryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe është përgjegjës për të drejtat e pakicave në Serbi.

Ai e pret gazetarin gjerman në sallën ku mbahen mbledhjet: “ai është i veshur si Volodymyr Zelensky. Ai akuzon shtetin serb për “aparteid”, duke thënë se është “e njëjta politikë si në kohën e Millosheviqit, vetëm me mjete më moderne”.

Gazeta gjermane shkruan se në Luginë është e ndaluar të përdoret publikisht flamuri shqiptar.

Enkel Rexhepi ankohet edhe për qëndrimin e Shqipërisë: “Kushtetuta e Shqipërisë parashikon që shteti duhet të angazhohet për të gjithë shqiptarët në botë. Por kjo nuk ndodh sa duhet, thjesht nuk kemi mbështetje të mjaftueshme”, thotë ai.

Ai dhe Donika Berisha nuk besojnë se problemi do të zgjidhet shpejt e as që Lugina e Preshevës të lidhet me Kosovën.