Javën që vjen do të ketë ngrirje të reja të çmimeve të produkteve ushqimore

Nga java e ardhshme do të ketë ngrirje të reja të çmimeve të produkteve ushqimore. Por, deri të martën sa të merret vendimi në Qeveri, një vendim tjetër do të hyjë në fuqi për ndalim të shitjes në aksione oferte, shkruan Alsat.

Marketing

Ministria e Ekonomisë dorëzoi propozimin, i cili sipas këtij dikasteri, do të ndaloj mashtrimet që janë bërë në vitin e kaluar nga rrjetet e marketeve të shitjes dhe tregtarëve të cilët kanë shmangur uljen e çmimeve duke shitur në okazion.

Ministri Kreshnik Bekteshi tha se paraprakisht do të takoj tregtarët që të ulin çmimet së paku 10% në mënyrë lineare për të gjithë artikujt, para se të hyjë në fuqi vendimi për ngrirje.

“Çmimet në bursë në nivel botëror 23,3% kurse në vendin tonë për fat të keq 47%. Kur them për ulje të çmimeve 10% ky do të jetë minimumi, kurse vendimi të martën mund të jetë më i madh! Për shembull buka dhe gruri mund të jenë 80% në kuadër të inflacionit të gjërave ushqimore, 20% mund të jetë mishi dhe 10% fruta/perimet. Në këto të fundit u vërejtën ngritjet më të larta të çmimeve, kjo vërtetohet edhe në raportin e Entit të Statistikave. Unë jam i bindur që me këto vendime çmimet do të ulën, posaçërisht tek ato që kanë rritje enorme të çmimeve”, tha Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Vendimi për ndalesë të shitjes me aksione oferte do të jetë i vlefshëm deri në fund të nëntorit, i cili do ti paraprijë periudhës së ngrirjes së çmimeve në industrinë ushqimore.

Çmimi referent i ngrirjes akoma nuk duhet se nga cila datë do të merret për bazë, por jo i kësaj jave të fundit.

Drejtori i Inspektoratit të Tregut Goran Trajkovski tha se do të veprojnë me të gjitha kapacitetet për kontrolle në terren.

“Në periudhën nga 1 Janari deri më 31 Qershor janë bërë 16,400 kontrolle, ndërsa janë dhënë mbi 3,700 Urdhërpagesa në vlerë prej 140 milion denarë”, u shpreh Goran Trajkovski, Drejtor i Inspektoratit të tregut.

Ndërkohë Zv.kryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi, kërkon nga Komisioni për Mbrojtje të Konkurrencës që të ndërmarrin iniciativa në disa sektorë si të industrisë ushqimore, bankave dhe të tjerë, që të dëshmojmë se ka marrëveshje mes tregtarëve për manipulime të çmimeve.

“Nëse e shihni rritjen e çmimeve për shkak të inflacionit në bursat botërore, ato janë një çerek më të vogla se në Maqedoni. Diçka po ndodh! Nuk mundet vendi ynë të jetë unik, ishull i izoluar, kur është pjesë përbërëse e të gjithë Evropës. Merrni çmimet e bursave evropiane sipas të dhënave të FAO-s, dhe do ti shihni indeksin e ndryshimeve të çmimit për një periudhë të caktuar. Ju them, kjo është ¼ më pak se sa janë çmimet këtu. Nëse ushqimi është rritur për 11 % në BE, në çmimet e bursave, këtu është rritur për 46%. Më falni, por kjo nuk është etike!”, tha Fatmir Bytyqi, Zëvendëskryeministër për çështje ekonomike.

Autoritetet të enjten do të zhvillojnë takim me 8 pronarët e rrjeteve më të mëdha të marketeve në vend, jo për marrëveshje xhentëlmenësh.

Bekteshi kërkoi interpretim të Ligjit për Mbrojtje të konsumatorëve dhe Ligjit për tregti që përveç gjobave për manipuluesit të zbatohet edhe mbyllja e plotë e bizneseve./ Alsat.mk