Liderit të Koresë së Veriut duket se i ka lënë mbresa të mëdha vizita e tij në Rusi.
Krejt papritur, Kim Jong Un ka vendosur të zgjasë dhe disa ditë të tjera vizitën e tij, pa dhënë asnjë arsye për mediat.
Kim dhe Putin u takuan të mërkurën dhe ranë dakord që Koreja e Veriut të ndihmojë me municione Rusinë, teksa kjo e fundit do të dërgojë ushqime dhe teknologji për programin bërthamor të Penianit.
Më herët, kreu i Kremlinit pranoi dhe ftesën e Kim Jong Un për të vizituar Korenë e Veriut, vizitë që mendohet se do të realizohet shumë shpejt.
Kim u prit ngrohtësisht nga Putin në qendrën hapësinore Vostochny në lindjen e largët të Rusisë. Pamjet e medias shtetërore ruse treguan dy liderët duke buzëqeshur ndërsa shtrëngonin duart, përpara se Putin ta shoqëronte personalisht Kim rreth qendrës hapësinore.
Ata gjithashtu shkëmbyen dhurata. Putin i dha Kim një dorezë nga një kostum hapësinor “që kishte qenë në hapësirë disa herë” dhe një pushkë të prodhimit rus. Kim i dha Putinit një armë të prodhuar nga Koreja e Veriut, mes dhuratave të tjera.