Kur janë bërë tashmë disa ditë qëkur ne – partitë opozitare shqiptare –
e kemi deponuar në arkivin e Kuvendit të RMV-së interpelancën për punën
e Prokurorit Publik, Lubomir Joveski, për fat të keq vazhdojmë të
regjistrojmë heshtje.
Kryetari i Kuvendit, z. Talat Xhaferi, edhe pse është i detyruar me
Rregulloren për punën e Kuvendit që në afat prej 15 ditësh, që nga
dorëzimi i interpelancës, në seancën e parë plenare ta vë në rend dite
atë, prej tij deri tash kemi vetëm heshtje.
Heshtje dhe, madje, mashtrim me opinionin kemi edhe nga kreu i BDI-së,
z. Ali Ahmeti. Në vend se të deklarohet për interpelancën tonë, sepse –
fundja – ajo ka të bëjë me së paku 14 jetë të humbura në spitalin
modular të Tetovës, ai vazhdon të brengoset më shumë si ta shpëtojë
Nikolla Gruevkin, si ta marrë edhe një herë pushtetin, si të mashtrojë
edhe një herë me temën e presidentit konsensual dhe gjepura të tjera, që
veç temën qendrore – a është ai për shkarkimin e Lubomir Joveskit apo
jo? – nuk e ka askund. Kjo na bën të dyshojmë se ai ka frikë në Lubomir
Joveski për lëndë të korrupsionit që Prokuroria mund t’ia ruajë në
sirtar. Shpjegim tjetër nuk kemi.
Megjithatë, më dëshpëruese se heshtja e Ali Ahmetit dhe BDI-së dhe
heshtja e Talat Xhaferit është heshtja e deputetëve dhe e kreut të
Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari. Le që nuk e kanë nënshkruar
interpelancën, por deputetët e ASH-së ia kanë marrë zanatin e heshtjes
edhe BDI-së, ashtu që, njësoj si ata, në vend se të deklarohen a janë me
ujkun a me qengjin, a janë me 14 viktimat dhe familjet e tyre apo janë
me Lubomir Joveskin, Arben Taravari dhe deputetët e ASH-së e bëjnë të
shurdhëtin dhe nuk deklarohet fare, duke lënë për të dyshuar se tashmë
edhe ata, njësoj si eksponentë të BDI-së, i kanë futur gishtat në
“mjaltë” dhe prandaj tash frikësohen prej Joveskit.
Sidoqoftë, ne – deputetët e Alternativës, Lëvizjes Besa dhe Lëvizjes
Demokratike – do të vazhdojmë të kërkojmë mbështetje nga deputetët për
këtë interpelancë, ndërsa presim që Talat Xhaferi do të gjejë fuqi për
ta tejkaluar veten e për ta ftuar seancën plenare për këtë pikë. Në të
kundërtën, do të jetë zhgënjimi më i padëshiruar i këtij kuvendi.
Ora e pritjes po kalon. Ali Ahmeti, Arben Taravari dhe Talat Xhaferi
duhet të përgjigjen se a janë për shkarkimin e Prokurorit të
Përgjithshëm, Lubomir Joveski, apo jo? Pa elaborime, thjesht a janë me
Lubomir Joveskin apo me 14 viktimat e spitalit modular të Tetovës?