Në shenjë proteste për mungesë të teksteve shkollore, profesoresha e gjuhës angleze në Gjimnazin “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë, liroi nxënësit nga ora e mësimit. Është absurde të mbash orë mësimore pa libër thotë profesoresha Lulzime Lazami, e cila apelon Ministrinë që të sigurojë tekstet
“Gjuha angleze pa libra nuk mund të mësohet dhe këtë e dinë mirë edhe prindërit edhe ata që merren me procesion arsimor, Ministria e Arsimit, sepse nuk ka ministër që nuk ka ndjek ndonjë kurs të gjuhës angleze dhe e dinë mirë se s`mund të mësosh pa libër gjuhën angleze dhe kjo krijon pengesë të madhe në mbarëvajtjen e orës mësimore. Librat e gjuhës angleze në gjimnaz janë dhjetë vite pa u ndërruar, andaj dhe nuk kemi libra sepse janë bërë të papërdorshëm”, deklaroi Lulzime Xhelili Lazami.
Nxënësit nga ana tjetër nuk kanë vetëm hallin e notave në gjuhën angleze, por edhe të provimit shtetëror.
“Ne jemi jashtë sepse librat në gjuhën angleze mungojnë, por edhe ata që i kemi u mungojnë fletat janë të shkatërruar. Kjo është me rëndësi sepse na duhen nota duhet të mësojmë nga diku po s`kemi ku”, tha një nxënës.
“Jemi në gjendje tejet të mjerueshme sepse librat e gjuhës angleze, që mësohet por librat janë me mungesa të mëdha janë të mbushura me shkrime s`kemi nga ku të mësojmë. Na pengon tejmase sepse pa pasur libra për mësim s`mund të kyçemi në mësime dhe të marrim mësimin si duhet. Edhe më e vështirë është se në fund s`kemi si notohemi pa libra, ndërkohë që shteti na kërkon të mësojmë ndërsa s`kemi kushte për të mësuar, kemi mungesë librash që është burimi kryesor i informacionit”, u shpreh një tjetër nxënës.
Nga Sektori për Arsim i komunës thonë se situatë e njëjtë është në gjitha shkollat e mesme dhe fillore të qytetit. Nga atje thonë se nga java e ardhshme prindërit kanë paralajmëruar edhe protesta.
“Situata është pothuajse e njëjtë në gjitha shkollat e mesme dhe fillore, pra vazhdon mungesa e librave. Kemi paralajmërime prej prindërve që do dalin në protesta sepse mungesa e librave së fundmi bëhet pengesë shumë e madhe sepse procesi mësimor pa librat nuk fillon dhe nuk mbaron si duhet. Në shkollat e Tetovës, në fillore numri i librave që mungojnë janë mbi 25 000, ndërsa brenda ditësh do kemi informatë edhe më të saktë, ndërsa në shkollat e mesme mungojnë mbi 15.000 libra sidomos në lëndët profesionale”, deklaroi Nazmi Dauti. Sektori për Arsim komuna e Tetovës.
Përderisa mungesa e librave nëpër shkolla vazhdon të krijojë probleme edhe tre javë pas fillimit të vitit shkollor, ministria e Arsimit, vazhdon të vizitojë shkollat me moton “Takohemi për një libër” /Alsat.mk