Paraburgim prej 30 ditësh ndaj tre serbëve të arrestuar për krime lufte

Gjykata Themelore në Prishtinë, me kërkesë të Prokurorit Special, ka caktuar masën e paraburgimit nga një muaj ndaj Dragan Milloviq, Illija Elezoviq dhe Zoran Kostiq, nën dyshimet për krime lufte në zonën e Vushtrrisë gajtë viti 1999.

Marketing

Kjo u bë e ditur nga avokati Ljubomir Pantoviq, i cili mbron të dyshuarin Zoran Kostic.

“Po iu është caktuar masa e paraburgimit ndaj të tre të dyshuarve”, i tha mediave avokati Pantoviq.

Sipas PSRK-së, të tre (3) të arrestuarit akuzohen për veprën penale “Krimet e luftës kundër popullatës civile”.

Veprime këto të sanksionuara sipas, nenit 142 dhe 22 të Kodit Penal të RSFJ, aktualisht e penalizuar me nenet 31 dhe 153 të KPRK, në kundërshtim me nenin 3 të përbashkët të 4 Konventave të Gjenevës, të datës 12 gusht 1949, të neneve 4 dhe 5 (1) të Protokollit 2 të datës 08 qershor 1977, shtojcë e Konventave të Gjenevës të vitit 1949, të gjitha rregullat e ligjeve ndërkombëtare në fuqi në kohën e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe kurdoherë e rëndësishme për vendimin e tanishëm ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë.

Sipas dosjes, i dyshuari Zoran Kostiq ka qenë komandant i këtij grupi paramilitar dhe i njëjti ka udhëhequr çdo veprim të tyre.

Një ndër këto veprime, sipas dosjes ishte edhe masakra në familjen Ujkani të cilën sipas dosjes e kishte udhëhequr i dyshuari Kostiq.

Dosja thotë se pas ekzekutimit të viktimave të kësaj masakre ishin djegur shtëpitë dhe trupat e viktimave nëpër shtëpitë e tyre në fshatin Reznik.