Afrim Bunjaku shpallet Hero i Kosovës

Polici i vrarë ditën e djeshme në veri të Kosovës Afrim Bunjaku është shpallur “Hero i Kosovës.” Urdhri, Bunjakut i është ndarë nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Marketing

Nderimin e pranuan dy djemtë e policit të ndjerë.

Presidentja Osmani, siç raportojnë mediat në vend, u shpreh se rreshteri policor, Afrim Bunjaku ra në mbrojtje të rendit, ligjit, integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës.

“Ai ra në mbrojtje të dinjitetit të Republikës sonë. Prandaj sot në emër të qytetarëve do t’i ndaj post-mortem urdhrin më të lartë të Republikës ‘Hero i Kosovës’. Shteti ynë nga sot ka edhe një hero, një kujtim më shumë për një njeri që me profesionalizëm dhe përkushtim iu dedikua mbrojtjes së Republikës për të cilën ra në krye të detyrës”, tha ajo në akademinë përkujtimore.”

Osmani tha se Kosova sot po nderon një hero të vërtetë, një rreshter policie trim dhe vetëmohues i cili sakrifikoi jetën për sigurinë e të gjithë qytetarëve.

“Afrim Bunjaku sikurse edhe të gjithë pjesëtarët të tjerë të policisë së Kosovës dje u sfiduan nga bandat terroriste të dirigjuara nga Beogradi dhe bënë atë që duhet. Rikthyen ligjin, mbrojtën integritetin territorial dhe sovranitetin tonë dhe vunë në vend dinjitetin.”