Bashkimi Europian: Shtensionimi në veri është më se i nevojshëm

Sulmi ndaj Policisë së Kosovës, ku mbeti i vrarë Afrim Bunjaku, është dënuar sërish nga Bashkimi Europian.

Marketing

Por, në pyetjen se a e mban ende qëndrimin se Serbia i ka bërë të gjithë hapat e nevojshëm për uljen e tensioneve, ndërsa Kosova nuk i ka bërë, për çfarë edhe janë në fuqi masat ndaj Kosovës e jo ndaj Serbisë, zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano, ka thënë se “për masa vendosin vendet anëtare”.

Ai ka thënë se sa i përket zhvillimeve të së dielës, BE-ja i ka dënuar këto akte, por hetimet po vazhdojnë dhe përmes këtyre hetimeve do të vërtetohet se çfarë saktësisht ka ndodhur.

“Hetimet janë ende në vazhdim e sipër dhe duhet të qartësohen të gjitha faktet lidhur me sulmet. Përderisa të mos saktësohen të gjitha faktet, ne do të përmbahemi nga komentet për zhvillimet e djeshme”, ka thënë Stano.

Sa i përket masave ndaj Kosovës, ai ka përsëritur se “ato janë masa e jo sanksione” dhe se ato ishin vendosur pasi vendet anëtare kishin konstatuar se cilët hapa kanë munguar nga ana e Kosovës për uljen e tensioneve në veri.

Stano ka përsëritur se “aktualisht masat janë ndaj Kosovës, ato mund të hiqen apo shtohen, varësisht nga situata në terren, por ato mund të vendosen edhe ndaj Serbisë”.

Zëdhënësi i BE-së ka thënë se ngjarjet e së dielës janë rikujtim se sa e nevojshme është ulja e tensioneve dhe kthimi në dialog për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Duhet të gjejmë rrugëdalje nga kriza e vazhdueshme dhe t’i kthehemi zgjidhjes normale të problemeve përmes dialogut, sepse shtensionimi është urgjentisht i nevojshëm”, është shprehur Stano.