ShBA-ja e gatshme të ndihmojë KFOR-in pasi Serbia vendosi ushtrinë në kufi me Kosovën

Këshilltari i Presidentit amerikan Joe Biden, për Çështje të Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Marketing

Në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë, Sullivan, mes tjerash ka folur me kryeministrin Kurti për situatën në veri dhe për të forcuar praninë e KFOR-it në këtë pjesë.

Gjithashtu në bisedë e sipër është diskutuar edhe për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, si rrugë e vetme për të garantuar stabilitet në Kosovë, transmeton Klankosova.tv.

“Z. Sullivan përcolli ngushëllimet për humbjen e policit të Kosovës të vrarë në krye të detyrës gjatë sulmeve të dhunshme të ndodhura më 24 shtator”.

“Ai gjithashtu shprehu shqetësimin për mobilizimet ushtarake serbe pranë kufirit me Kosovën. Ai vuri në dukje vendimet e fundit të NATO-s për të forcuar praninë dhe aktivitetin e Forcave të NATO-s në Kosovë (KFOR), veçanërisht në veri të Kosovës, dhe nënvizoi gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar me aleatët tanë për të siguruar që KFOR-i të ketë burimet e duhura për të përmbushur misionin e tij”, thuhet në njoftim.

“Gjithashtu, z. Sullivan dhe kryeministri Kurti diskutuan për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilin z. Sullivan theksoi se është e vetmja zgjidhje afatgjatë për të garantuar stabilitet në mbarë Kosovën”.