Sulm masiv me raketa nga Gaza drejt Izraelit, shpallet gjendja e alarmit të luftës

Një grua është vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur rëndë pasi mijëra raketa u hodhën nga Rripi i Gazës drejt Izraelit, thanë shërbimet izraelite të emergjencës. Hamasi pretendon se ka lëshuar 5000 raketa kundër Izraelit në atë që e ka quajtur ‘Stuhia Al-Aksa’.

Marketing

Sirenat e alarmit ranë në jug të Izraelit dhe mund të dëgjoheshin në zonën më të madhe të Tel Avivit të shtunën në mëngjes. Radioja ushtarake flet për lëshime të mëdha raketash nga Gaza, disa prej të cilave kapen nga bateritë mbrojtëse izraelite Iron Dome. Sulmi filloi teksa fëmijët ishin rrugës për në shkollë.

Grupi militant palestinez islamik Hamas ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Dhjetëra mijëra mbështetës të Xhihadit Islamik u mblodhën në Gaza të premten për të festuar përvjetorin e themelimit të lëvizjes.

Pamjet nga agjencia e lajmeve Reuters tregojnë zjarrfikësit izraelitë duke luftuar flakët në qytetin e Ashkelon, ndërsa shtëllunga të dendura tymi ngriheshin nga automjetet e djegura.

Një raport fillestar nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF), tha se një “numër terroristësh” ishin infiltruar në territorin izraelit nga Rripi i Gazës dhe se banorëve në zonat përreth u është kërkuar të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.

Ushtria izraelite ka shpallur “gjendjen e alarmit të luftës”. Zëdhënësi ushtarak kujtoi se “organizata terroriste Hamas ka filluar të lëshojë raketa masive drejt territorit izraelit dhe në disa vende”. Izraeli ka vendosur të tërheqë rezervistët e tij.