Lidhur me deklaratën e BDI-së për shqetësimet e tyre për keqpërdorimet e pretenduara rreth furnizimeve publike, dua të them se është më se e pritshme që të gjithë ata që mendojnë ndryshe do të jenë targeti juaj, por kjo nuk do t’ju ndihmojë t`i fshihni të gjitha skandalet korruptive dhe mëkatet që i keni bërë kundrejt popullit shqiptar.
Poashtu, duam të njoftojmë opinionin e gjerë se kompania e apostrofuar Bauer BG, nga Qeveria RMV-së në vitin aktual 2023, ka marrë tender në vlerë prej 6.5 milionë euro. Njejtë, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, e njëjta kompani ka marrë tender në vlerë prej gati 2 milionë euro, ndërsa nga Ministria e Mjedisit mbi 1 milionë euro, nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari prej mbi 8 milionë euro, nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale prej 2 milionë euro, në total rreth 20 milionë euro.
Ne si Komunë e Çairit, në mënyrë më transparente i ftojmë të gjitha institucionet relevante që ta hetojnë këtë rast, ku do të konfirmohet se mjetet në Komunën e Çairit janë ndarë me dedikim nga Qeveria e RMV-së, e cila siç mund të konstatohet rregullisht ka lidhur kontrata me kompaninë e sipërpërmendur. Në këtë frymë, ne insistojmë që hulumtimi nga institucionet kompetente të vazhdojë edhe në të gjitha institucionet tjera të menaxhuara nga BDI, veçanërisht në Ministrinë e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve ndërmjet Komuniteteve, e cila menaxhohet nga Artan Grubi, si dhe në Lotarinë Shtetërore të RMV-së, e cila menaxhohet nga krahu i djathtë i Artan Grubit.
Mund të konstatojmë se ky nivel i panikut dëshmon vetëm një gjë, se BDI do të humbasë në zgjedhjet e ardhshme dhe të gjithë personat e përfshirë në biznesin e pistë të kazinove dhe marrëveshjet e tjera skandaloze që u zbardhën nga mediat në periudhën e kaluar, do të përgjigjen para institucioneve të drejtësisë.
Ndryshimi po vjen!