Rrugët e Shkupit u përgjakën sërish, si rezultat i një aksidenti i cili la të vdekur një 10-vjeçar. Një fëmijë i mitur ka ndërruar jetë si pasojë e një aksidenti në bulevardin “Nikolla Karev” në Shkup. 21 vjeçari Z.SH, i cili voziste automjetin e pasagjerëve “Mercedes” goditi të miturin i cili kishte tentuar të kalojë bulevardin pranë kryqëzimit, pranë ambasadës amerikane, ndërkaq Mercedesi ka qenë duke lëvizur nga drejtimi i Bit Pazarit me shpejtësi të madhe. Drejtuesi i mjetit është larguar nga vendi i aksidentit ndërsa kalimtarët e rastit kanë tentuar të ndihmojnë viktimën. Nga MPB thanë se pasi është transportuar në qendrën e urgjencës, mjekët kanë konstatuar vdekjen e të miturit.
MPB
“Më datë 12.10.2023 në ora 16:47 në sektorin e Punëve të Brendshme në Shkup është raportuar se automjeti i pasagjerëve “Mercedes” ka goditur një të mitur në bulevardin “Nikolla Karev” në Shkup, pas së cilës është larguar nga vendi i ngjarjes. I mituri është transportuar në Qendrën Emergjente në Kompleksin Klinikë “Nënë Tereza”, ku I është konstatuar vdekja. Pas një kohe të shkurtër, pas ndërmarrjes së masave dhe veprimeve, zyrtarët policorë kanë gjetur veturën dhe shoferin Z.Sh.(21) nga Shkupi, i cili është arrestuar”.
Nga MPB njoftojnë se është bërë kontroll nga ekipi i MPB Shkup dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të dorëzohet raport përkatës. Disa raste të tilla tragjike kanë ndodhur muaj më parë, ku si rezultat i shpejtësisë së madhe të vozitjes, janë humbur shumë jetë.