Bytyqi në takim me investitorët e huaj: Po forcojmë sistematikisht parashikueshmërinë e ambientit afarist për investime të reja

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi sot pati takim pune me përfaqësues të më shumë se 30 kompanive të huaja, anëtarë të Këshillit për Investime të Huaja në suaza të Odëa Ekonomike e Maqedonisë së Veriut.

Marketing

Në takimin që u mbajt në kompaninë “Amfenol” në Koçan, u diskutuan disa çështje aktuale ekonomike dhe politikat e Qeverisë që ndikojnë drejtpërdrejt në punën e kompanive të huaja në vend.

Zëvendëskryeministri Bytyqi theksoi se Qeveria tregon gjithëpërfshirje dhe konsistencë në krijimin e strategjive dhe politikave ekonomike që synojnë përmirësimin e konkurrueshmërisë së ekonomisë dhe krijimin e bazave solide për rritjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të saj, proces në të cilin kompanitë e huaja janë pjesë e pashmangshme.

Duke folur për unifikimin e politikave për mbështetjen financiare të investimeve të reja, zëvendëskryeministri Bytyqi i njoftoi përfaqësuesit e investitorëve të huaj për forcimin sistematik shtesë të tyre përmes ndryshimeve në Ligjin për Mbështetjen Financiare të Investimeve.

“Ajo që ne kemi arritur të ndërtojmë, që t’ju ofrojmë One stop shop për investimet tuaja në përputhje me Ligjin për Mbështetjen Financiare të Investimeve dhe të merrni pagesën 100%, do të krijohet sistematikisht nga viti i ardhshëm. Jemi duke përgatitur ndryshime në ligj që do t’ju japin një parashikueshmëri shtesë të ambientit afarist në vend, gjegjësisht do të futen dispozita ligjore që do t’ju lejojnë të prisni pagesë financiare 100%. Nuk do të varet nga vullneti apo vendimi i askujt politik”, tha zëvendëskryeministri Bytyqi.

Edukimi i dyfishtë dhe qasja në fuqi punëtore të kualifikuar ishte një tjetër nga temat që u hapën në takim, për të cilin bashkërisht u vlerësua se përmes dialogut duhet të lehtësohen procedurat ekzistuese ligjore dhe administrative në drejtim të qasjes më të lehtë në fuqi punëtore të kualifikuar.

Në fund të takimit u shpreh kënaqësi për dialogun e vazhdueshëm që po zhvillohet me përfaqësuesit e kompanive të huaja në vend, ndërsa bashkërisht vlerësuan se është e vetmja rrugë që çon në përmirësimin e mëtejshëm të ambientit afarist dhe atraktivitetin e tij për inkurajim të investime të reja në ekonomi.