Qytetarët e Skenderajt mirëpresin lirimin e Hysni Gucatit

Lirimi i ish-kryetarit të OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, nga Gjykata Speciale në Hagë është mirëpritur nga qytetarët e Skenderajt dhe bashkëluftëtarët e tij.

Marketing

Njëri nga anëtarët e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Agron Kajtazi tha së luftëtarët e Kosovës po mbahen padrejtësisht në Hagë. Ai tha se shpreson që të gjithë ish-krerët e UÇK-së të kthehen lirshëm në Kosovë.

“E kemi pritur me gëzim, sepse e ka vendin e vet, e ka lënë të mangët organizatën e veteranëve, përfaqësimin tonë si ushtarë natyrisht. Megjithatë, ky gëzim është i përzier me mërzi për shkak se shumica e bashkëluftëtarëve gjenden padrejtësisht dhe janë duke u mbajtur në një gjykatë të padrejtë mbi popullin tonë”, tha ai.

Ndërsa qytetari nga Skenderaj, Shaban Zyrani tha se ish-krerët e UÇK-së që nga dita e parë po mbahen padrejtësisht në Gjykatën Speciale në Hagë.

“Shumë jemi të gëzuar. Me padurim e kemi pritur (lirimin e Hysni Gucatit) edhe duke shpresuar ashtu… Të ketë këmbën e mbarë, të vijnë edhe të tjerët, sepse kemi mungesë të madhe… Unë shpresoj që në një të ardhme të afërt të vijnë edhe ata”, tha Zyrani.

Po ashtu edhe Xhevdet Hodaj nga Skenderaj tha se Gjykata e Hagës është e padrejtë dhe pret që edhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së të lirohen, pasi që ata janë të pafajshëm.

“Shumë mirë. Më mirë nuk di qysh. Jemi të gëzuar të kënaqur që ka ardhur. Urojmë që edhe të tjerët të vijnë të dalin sa më shpejt dhe asnjë të mos të mbetet, sepse është propagandë e Serbisë. Shumë e padrejtë, a pak kurrgjë s’ka drejtësi aty, gjithçka mund të ketë, por drejtësi jo”, tha Hodaj.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara në Hagë kanë modifikuar dënimin ndaj Gucatit, duke i mundësuar atij lirimin nga burgu, nën disa kushte.

Në maj 2022, Gucati së bashku me ish-nënkryetarin e OVL të UÇK-së Nasim Haradinaj u dënuan me katër vjet e gjysmë burgim për akuzat për pengim të drejtësisë, ndërsa më pas Apeli ua ulin dënimet për tre muaj.

Që të dy u arrestuan më 5 shtator 2020 dhe që atëherë gjendeshin në mbajtje në Hagë.

Ish-nënkryetari i OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj, nuk është liruar me kusht nga burgu në Hagë si ish-kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati./KosovaPress/