Mickoski: VMRO-DPMNE pranon grupet e punës për zgjedhjet!

Partitë politike kanë filluar me kalkulimet për një datë të mundshme të mbajtjes së zgjedhjeve. VMRO-DPMNE-ja ka vendosur që të pranojë ofertën e kryeministrit Kovaçevski, që në vend takim liderësh të formohet grup i punës, i cili do të duhet të definojë procesin e zgjedhjeve. Kryetari i opozitares maqedonase, Hristijan Mickoski thotë se për shkak që bëhet fjalë për proces, i cili është jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin, si të vendosë Kovaçevski ashtu do të bëhet, do të propozojnë përfaqësues në grupin e punës, ndërsa kryeministrit vetëm i ngelet të caktojë datën dhe orën.

Marketing

“Në momentin e parë që do të marrim sinjal nga pala tjetër ose sinjal nga Talat Xhaferi, ne jemi të gatshëm të nominojmë përfaqësues që do të jenë pjesë e këtij procesi. Ja, ne do ta dëgjojmë dhe siç thotë ai, ashtu le të bëhet. Ai le ta caktojë datën, le të caktojë ditën kur ato grupe punuese do të takohen dhe le t’i përcaktojnë proceset, sepse ato procese janë jashtëzakonisht të rëndësishme për të ardhmen e Maqedonisë, ndërsa vetëm disa muaj na ndajnë.”, – deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski.

Mickoski theksoi se ka problem me Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, që nuk funksionon sipas ligjit, sepse siç thotë aktualisht funksionon me gjashtë anëtarë.

“Po ju kujtoj se aktualisht kemi një problem, sepse kemi një Komision Shtetëror të Zgjedhjeve që nuk funksionon sipas ligjit. Pse nuk funksionon? Sepse nuk janë 7 anëtarë, por 6. Kemi një strukturë të përcaktuar qartë me ligj të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, 4 anëtarë të Qeverisë dhe 3 anëtarë të opozitës. Kemi 2 anëtarë të opozitës. Dhe çfarë bën Qeveria? Pengon emërimin e anëtarit të tretë nga opozita.”, – theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski.

Ai e sugjeron kryeministrin se nuk është momenti që të futet në rolin e një politikani “maço”, por është koha që të caktohen zgjedhjet për të cilat duhet të gjithë të kujdesen që të mbahen në pajtueshmëri me ligjin dhe Kushtetutën.