Suspendohet Mourinho, gjobitet Roma

Trajneri portugez, Jose Mourinho është pezulluar zyrtarisht për një ndeshje në Serie A, që do të thotë se ai nuk do të jetë në stol kundër ish-klubit të tij Inter, të dielën.
Mourinho u përjashtua me karton të kuq në minutat e fundit në fitoren 1:0 të Romës ndaj Monzas të dielën e shkuar, teksa festoi duke u tallur me Raffaele Palladino dhe lojtarët e tij.

Marketing

Nga Federata italiane është konfirmuar se Mourinho është suspenduar për një ndeshje, që do të thotë se ai do të humbasë ndeshjen e radhës të Romës në Serie A, kundër Interit.

Nuno Santos, një nga ndihmësit e Mourinhos, u përjashtua gjithashtu kundër Monzas dhe nuk do të jetë në stol kundër “Nerazzurrëve”.

Roma u gjobit gjithashtu me 10,000 euro për “përgjegjësi objektive” pasi djemtë që ishin të angazhuar për mbajtjen e topave jashtë vijave të fushës, ishin të ngadaltë në kthimin e topit tek lojtarët në fushë pas golit të El Shaarawyt.

Roma do të luajë në Ligën e Evropës të enjten, por Mourinho po përballet gjithashtu me një pezullim evropian pasi u suspendua për katër ndeshje pas finales së sezonit të kaluar kundër Sevillas.