AlternAtivA: Distancohemi nga vota e abstenimit të Maqedonisë së Veriut nga rezoluta e OKB-së për armëpushim humanitar në Gaza

Sonte, kur në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, me propozim të
Jordanisë, 120 shtete të botës e votuan rezolutën për armëpushim të
menjëhershëm, afatgjatë dhe të qëndrueshëm humanitar, kundrejt 14 votave
kundër dhe 45 abstenimeve, për fat të keq Maqedonia e Veriut nuk gjeti
kurajë që ta mbështesë këtë rezolutë.
Kjo është arsyeja që AlternAtivA të deklarojë se distancohet nga kjo
votë e Maqedonisë së Veriut dhe e gjykon si votë kundër paqes,
armëpushimit dhe ndihmës humanitare për civilët e rrezikuar në Rripin e
Gazës. Meqë e dimë se kjo është bërë me udhëzim të Ministrisë së
Jashtme, kjo edhe njëherë na bind se ministri i Jashtëm dhe subjekti që
ai e përfaqëson, por edhe në përgjithësi kjo qeveri, në emër të
servilizmit, është në gjendje të jetë edhe kundër paqes dhe në
mbështetje të dhunës dhe të luftës.
Sidoqoftë, AlternAtivA e përshëndet miratimin e kësaj rezolute, të cilën
e kanë votuar edhe shtete si Franca, Belgjika, Zvicra etj., dhe bën
thirrje që edhe në Rripin e Gazës të ndalen luftimet dhe t’i jepet shans
dialogut dhe bisedimeve. Jeta e civilëve është mbi secilin interes
politik.

Marketing