“Lidhja Evropiane për Ndryshim”, partitë opozitare shpalosin emrin e koalicionit

Nga sheshi Skënderbeu në Shkup, partitë opozitare, Lëvizja Demokratike, Lëvizja Besa dhe Alternativa, kanë shpalosur emrin me të cilin do të bashkëpunojnë dhe do të garojnë në të ardhmen. Tani e tutje koalicioni i tyre do të quhet “Lidhja Evropiane për Ndryshim”.

Marketing

Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi tha se ky koalicion i bashkuar shqiptar, mbetet i palëkundër në angazhimin e tij për integrimin e shpejtë të Maqedonisë së Veriut në BE.

“Vetëm integrimi në BE nuk ka alternativë. Për ne prioritet kryesor është lufta kundër korrupsionit. Dallimi mes nesh dhe të tjerëve është se ne insistojmë për mosvjetërsim të lëndëve ndërsa ata luftojnë për amnisti dhe liri të kriminelëve”, tha kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.
Lideri i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami tha se nga ky moment fillon ndryshimi dhe se dëshira e madhe e popullit shqiptar për ndryshimi i ka bërë ata që të tejkalojnë të gjitha dallimet.

“Siç e shihni pavarësisht se dikur nuk i kemi kursyer kritikat për njëri tjetrin sot jemi bashkë të lidhur dhe të gatshëm që si Lidhja Europiane për Ndryshim bashkë me popullin shqiptar të ecim drejt një të ardhme më të mirë”, tha Kasami.

Kryetari i LD-së, Izet Mexhiti, u shpreh se, tha se ata janë të bindur dhe të vendosur të sjellin ndryshimin.
“Sot jemi tre parti por presim që ky koalicion të rritet edhe më shumë, me parti tjera, me individë”, tha Mexhiti.

Ai tha se ata do ta sjellin ndryshimin e shumëpritur tek shqiptarët.