Ish-drejtori i Nokia-s blen Interin?

Biznesmeni finlandez Thomas Zilliacus, i panjohur për publikun e gjerë dhe kandidat për blerjen e Manchester United, tashmë është i interesuar për Interin, siguroi ai të hënën mediat italiane.

Marketing

“Unë jam serioz, këtë javë ose më së voni javën e ardhshme, pronari aktual i Interit do të marrë një ofertë adekuate për të marrë përsipër klubin”, tha ai në një intervistë të publikuar në ueb sajtin e të së përditshmes La Repubblica.

Zilliacus pretendon se falë “investitorëve të ndryshëm, të vegjël dhe të mëdhenj, familje dhe investitorë institucionalë”, emrat dhe kombësitë e të cilëve nuk donte t’i zbulonte, ai mblodhi 2.5 miliardë euro për të blerë Interin.

Oferta, shpjegon ai, do të bëhet nga kompania XXICenturyCapital, e cila është e vendosur në Singapor dhe është e interesuar për futbollin dhe modën.

Interi i Milanos, nëntëmbëdhjetë herë kampion i Italisë dhe tri herë kampion evropian, kontrollohet që nga viti 2016 nga grupi kinez Suning dhe biznesmeni Steven Zhang. Revista “Forbes” e vlerëson klubin italian në 1.03 miliard dollarë (960 milionë euro).

Zilliacus është një ish-ekzekutiv i Nokia-s, i cili thotë se e ka ndërtuar pasurinë e tij në sektorin e teknologjisë në Azi. Ai jeton në Singapor, ku në vitin 1998 themeloi një fond investimi të specializuar në teknologjitë e reja, Mobile FutureWorks (MFW).

Oferta e tij për të blerë Manchester United ishte e pasuksesshme. Themeluesi i gjigantit petrokimik INEOS, miliarderi britanik Jim Ratcliffe, po përgatitet të marrë 25 për qind të aksioneve të klubit anglez për rreth 1.7 miliardë euro.