Ministria e Punëve të Brendshme ka reaguar në lidhje me videon që po shpërndahet në rrjetet sociale ku shihet se si dhunohet një punonjës në “Tehnomarket” në Shkup, përcjell TV21. Nga MPB thonë se bëhet fjalë për rast që ka ndodhur në muajin shtator dhe theksojnë se i njëjti rast tashmë është zbardhur nga zyrtarët e policisë.
“Me datë 25.09.2023 janë privuar nga liria F.V.(25) dhe A.F.(33), të dy nga Shkupi, për shkak të dyshimit se me datë 20.09.2023 kanë sulmuar fizikisht punonjësin A.V. nga Shkupi, në një lokal për shitje në afërsi të arenës “Toshe Proeski”. Të dy janë ndaluar në stacion dhe në një bisedë zyrtare me punonjësit e policisë kanë pranuar veprën. Ndaj tyre në koordinim me prokurorin publik është parashtruar kallëzim penal, ndërsa në procedurë paraprake gjyqtari ka caktuar paraburgim shtëpiak. Apelojmë që të mos përhapen lajme të rreme që synojnë të shqetësojnë qytetarët”, thonë nga MPB./tv21.tv