Këshilli Gjyqësor do të kërkojë përgjegjësi nga kryetarja e Supremes, Besa Ademi?!

Kryetarja e Gjykatës Supreme, Besa Ademi mund të përballet me përgjegjësi mbi bazën e shpërdorimit të detyrës zyrtare dhe shkelje apo përshpejtim në kompetenca zyrtare. Alsat mëson se Këshilli Gjyqësor është duke punuar mbi materialin në bazën të cilit do të kërkojë përgjegjësi nga Ademi, por ky organ sot nuk tregoi nëse veprimet e paralajmëruara do të ndërmerren së shpejti ose jo. Nga Këshilli Gjyqësor thonë se procedura për vërtetimin e përgjegjësisë është sekrete dhe deri në veprim nuk mund të ndahen informacione.

Marketing

“Pas dorëzimit dhe elaborimit të kërkesës bashkërisht me dëshmitë, Këshilli hedh shortin nga i cili formon komisionin e përbërë nga tre anëtarë (dy gjykatës dhe një anëtarë që është zgjedhur nga Kuvendi). Me short zgjidhet edhe kryetari i komisionit, ndërsa identiteti i gjykatësit ose kryetarit të gjyqit zbulohet vetëm pasi të merret vendim i plotfuqishëm”, thonë nga Këshilli Gjyqësor.

Vërtetimi i përgjegjësisë së Ademit jo zyrtarisht bazohet në nenin 79 të Ligjit mbi Gjykata.

Ligji për Gjykatat, neni 79
Kryetari i gjykatës shkarkohet nga detyra atëherë kur Këshilli Gjyqësor konstaton shkelje bazikë në bazë të:
“Shpërdorimit të detyrës dhe përshpejtimit mbi kompetencat zyrtare”.

Veprimet e këshillit, kryetari i këtij organi Sashko Georgiev i paralajmëroi në konferencën e fundit për media, përkatësisht ditën kur Besa Ademi nuk u paraqit në takimin e punës më 6 nëntor. Georgiev deklaroi se këshilli do të bëjë gjithçka që është e mundur me qëllim vërtetimin e siç tha ai gjendjes faktike në Supreme, për të konstatuar nëse bëhet fjalë për presion personal ndaj Ademit apo presion kolektiv ndaj gjithë gjykatësve Suprem. Ademi javë më parë adresoi publikisht shqetësimet e saja si pasojë e presioneve politike që ka Gjykata Supreme dhe anëtarët e saj. Ndonëse nuk e tha drejtpërdrejt, Ademi la të kuptohet se presionet kishin për bazë vendimin e Supremes për mos ta kthyer në fuqi abolimin e ish presidentit Gjorgje Ivanov nga viti 2016, veprim ky që mund ta çonte ish kryeministrin Nikolla Gruevski në amnisti absolute. Për veprimet e këshillit në raport me Besa Ademi, ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Price Aggeler të mërkurën e kaluar në një prononcim për Alsat shprehu shqetësimin e saj për mos përmbushjen e detyrave të parapara me ligj nga ana e Këshillit Gjyqësor.

“Këshilli Gjyqësor- në teori një organ i pavarur- mban përgjegjësinë vendimtare për emërimin e gjykatësve të kualifikuar dhe disiplinimin e atyre që nuk arrijnë të përmbushin standardet më të larta. Është mandati i Këshillit të sigurojë funksionimin e duhur dhe transparent të gjyqësorit në këtë vend. Më vjen keq të them se ne kemi parë pak prova të përmbushjes së këtyre detyrave të shenjta. Qytetaret e këtij vendi meritojnë më mirë”, deklaroi Angela Price Aggeler, Ambasadore e SHBA-ve në Shkup.

Televizioni Alsat prej ditësh tenton komunikimin me Besa Ademin, por ajo nuk i është përgjigjur thirrjeve dhe porosive tona. /Alsat.mk