“Vullneti i shqiptarëve në asnjë Qeveri nuk mund të pasqyrohet përmes ‘shqiptarëve të ndershëm’. Ajo që më shqetëson është narrativi që po krijohet në shoqëri se shqiptarët janë të këqij – thonë BDI është në të gjitha institucionet. Kur shohin specialistë shqiptarë nëpër klinika, të cilat më parë nuk ishin aty, thonë se BDI është kudo. Kur shkojnë në drejtësi, shohin prokurorë dhe gjyqtarë shqiptarë, këtu prapë BDI-ja. Jo, ata janë shqiptarë. Ata nuk janë BDI. Janë shqiptarët që tani kanë mundësi të paraqiten në institucione. Për disa, kjo barazi i shqetëson. Shqiptarofobia është në mendjet e tyre nacionaliste”.
Kështu është deklaruar kryediplomati i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani në intervistën e tij dhënë për emisionin “360”.
“Nuk mund të formohet një qeveri pa BDI. BDI nuk ka konkurrencë para elektoratit. Do të jemi në pushtet derisa qytetarët të vendosin ndryshe, pak oligarkë nuk mund ta pengojnë sovranitetin që buron nga vullneti i qytetarëve” tha Osmani.
Në njëqind ditët e fundit para zgjedhjeve, Osmani pret që të respektohet marrëveshja me LSDM-në për një kryeministër shqiptar.