Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook ka ngritur alarmin për një riorganizim të grupit paramilitar serb që kreu sulmin në Basnjkë, më 24 shtator, duke i marrë jetën efektivit Afrim Bunjaku.
Shefi i qeverisë në Prishtinë bën me dije se nën udhëheqjen e Milan Raoiçiç, në Rashkë të Serbisë është zhvilluar disa ditë më parë një mbledhje, ku kanë marrë pjesë edhe politikanë nga komunat me shumicë serbe në Kosovë.
“Në Rashkë të Serbisë, po ngjan riorganizimi paramilitar e terrorist i Millan Radoiçiq dhe grupit të tij, me instruksione dhe mbështetje të shtetit të Serbisë. Të premten e 10 nëntorit, ai ka udhëhequr një takim me rreth 40 politikanë serbë e zyrtarë të komunave ilegale nga Kosova. Në mbledhjen e mbajtur në shtëpinë e kulturës në Rashkë, ai kishte pranë Svetllana Milladinov, zëvendësen e Petar Petkoviqit, koordinatorit të të ashtuquajturës zyrë të Serbisë për Kosovë. Gjatë këtij takimi përveç deputetëve të Listës Serbe, kanë marrë pjesë edhe kryetari i ri i saj Zlatan Elek dhe nënkryetarët, Dragisha Milloviq dhe Dalibor Jevtiq. Aty është kërkuar mobilizim për votim të partisë-shtet në Serbi, SNS, në zgjedhjet e 17 dhjetorit. Ata që janë në listë të rrogave janë kushtëzuar me to, ndërkaq për të tjerë janë ofruar vende pune në periudhë 3 dhe 6 mujore. Millan Radoiçiq, pas sulmit terrorist të kryer në veri, u lirua brenda ditës që të vazhdonte veprimtarinë e tij paramilitare e terroriste në shërbim të politikës shtetërore të Serbisë kundër Kosovës”, njofton Kurti.
Në vijim ai kërkon nga misionet ndërkombëtare, KFOR dhe EULEX, që të reagojnë dhe të dënojnë ashpër riorganizimin e grupit militar të Radoiçiçit në Serbi.