“Moment historik i tmerrshëm”/ Bilanc i rëndë viktimash në Gaza, më shumë se 5000 fëmijë të vdekur

Sulmet në Gaza i kanë marrë jetën më shumë se 5000 fëmijëve, ndërsa bilanci po rëndohet gjithnjë e më shumë.

Marketing

Agjencia e Kombeve të Bashkuara UNICEF bëri një përditësim të numrit të viktimave, shoqëruar me mesazhin për t’i dhënë fund sulmeve.

“Një tjetër moment historik i tmerrshëm. Numri i raportuar i fëmijëve të vrarë në Gaza tani ka tejkaluar 5000. Secili është një jetë e shuar dhe një familje e shkatërruar. Kjo duhet të marrë fund! Të gjithë fëmijët duhet të mbrohen”, shkroi Catherine Russell, drejtoresha ekzekutive e agjencisë së fëmijëve, në platformën “X”.


Sulmet nisën më 7 tetor, e më pas u përshkallëzuan gjithnjë e më tej. Ngjarjet nisën pas sulmeve që militantët e Hamasit bënë në Izrael, ku lanë të vdekur 1200 persona.

Menjëherë pas këtyre veprimeve, ushtria izraelite nisi sulmet në Rripin Gazës. Në zonat e sulmuara kanë humbur jetën të paktën 11 mijë palestinezë.

Nga ana tjetër, spitalet po përballen me një tjetër sfidë, atë të numrit të lartë të pacientëve. Kjo ka ardhur edhe si pasojë e shkatërrimit të disa prej qendrave shëndetësore. Më e fundit në spitalin Al-Shifa, i cili mbetet në shënjestrën e forcave izraelite, nën pretendimin se aty fshihen militantët e Hamasit.