Nëntë të lënduar nga shpërthimi i një granate dore në Prizren

Nëntë persona janë lënduar si pasojë e shpërthimit të një granate dore në një treg të kafshëve në qytetin jugor të Kosovës, Prizren.

Marketing

Lajmi është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga zëdhënësi për Informim i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Prizrenit, Vesel Gashi.

Ai theksoi se tre persona të dyshuar për sulmin janë identifikuar dhe janë duke u kërkuar nga Policia.

“Rreth orës 04:50, policia ka pranuar informatë për një rast plagosjeje te tregu i kafshëve në Prizren. Nga informatat e para dyshohet se nëntë perona kane pësuar lëndime nga shpërthimi i një granate dore”, tha Gashi.

Motivet e incidentit nuk janë bërë të ditura menjëherë.

Të lënduarit janë dërguar në emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit, ku po marrin trajtim mjekësor.

Në vendngjarje ka dalë edhe njësiti i hetimeve rajonale të Prizrenit për të mbledhur prova për rastin.