Radio Evropa e Lirë zbulon skandalet e BDI-së tek Lotaria Shtetërore

Kontrata e fundit që Llotaria e shtetit e ka nënshkruar këtë muaj, është për blerjen e aparateve të bixhozit. Prokurimin do ta bëjë kompani e cila më parë ka punuar në fushën e arkitekturës, me qëndrim në Likovë të Kumanovës. Me ndryshimin e emrit, adresës dhe fushëveprimit, emërohet edhe pronari i ri, 19 vjeçari Flamur Nevzatovski, raporton Radio Evropa e Lirë.

Marketing

Tenderi i Llotarisë së shtetit për prokurimin e aparateve të bixhozit që e ka marrur kompania “AP Solutions” kapë vlerën prej 204.825 eurove.

RELvazhdon të hulumtoj qiranë e Llotarisë së shtetit me vlerë prej 2.6 milion eurove me një kompani të afërt me BDI. Zbulojmë që para se “Hej DOOEL” të nënshkruan kontratën për qira me kompani aksionare, menaxhere e kompanisë ka qenë Natyra Grubi Bela, e cila njëkohësisht është edhe vajza e axhës së zv.Kryeministrit, Artan Grubit.
REL zbuloi edhe një kompani “Media Group DOOEL Tetovë”, e afërt me “Arbëria Design” e cila ka marr tender në Llotarinë e shtetit. Që të dy kompanitë deri kohë mëparë kanë qenë të regjistruara në adresë të njejtë në Tetovë, ndërsa kanë nënshkruar kontrata të ndryshme por në të njejtën ditë për prokurime publike me Llotarinë e shtetit.
Heshtja ishte përgjigjeja e vetme që e morrëm nga Policia Financiare në pyetjen se përveç qirasë milionëshe të Llotarisë së shtetit, hetimi a është zgjeruar edhe tek kompanitë e afërta dhe familjare të “Arbëria Design” të cilët marrin tendere në shoqërinë aksionare.
Fraza që vitet janë vetëm numër përdoret edhe në biznes. Ashtu është edhe shembulli me 19 vjeçarin nga Kumanova Flamur Nevzatovskin i cili kohë më herët u bë dhe sipërmarrës i ri.

Në pronësi të tij është kompania “AP Solutions” e cila për nevojat e Llotarisë së shtetit do të prokuroj terminale llotarie – aparate bixhozi.

Kontrata e nënshkruar e kompanisë me shoqërinë aksionare është e fundit që është publikuar në Byronë për furnizime publike. Në shumën prej 12.598.425 denarëve apo 204.825 eurove, kompania e Nevzatovskit do duhet të prokuroj 95 terminale.Vlera e tyre për njësi është 126.300 denarë për terminal.

Hulumtimi mbi dokumentacionin e plotë të kompanisë në Regjistrin Qëndror (17 nëntor) tregon se Shoqëria për programim, marketing, tregëti dhe shërbime “AP Solutions DOOEL” import-eksport Shkup, ka marr emrin e ri të kompanisë me 19 prill të vitit 2023.

Nga themelimi, janar të vitit 2018 deri para gjashtë muajve, ka qenë e regjistruar me emrin “Shoqëria për projektim, dizajn, ndërtimtari, tregëti dhe shërbime FDESTANI ARHITEKT DOOEL” import – eksport f. Llojan, Likovë, me fushëveprim të regjistruar në arkitekturë. Është ndryshuar edhe adresa e kompanisë, nga f.Llojanë, Likovë, në Aerodrom të Shkupit.

Në kompaninë e vjetër, pronar dhe menaxher ka qenë Fatbardh Destani. Vlera themeluese prej 307.500 denarëve, por në mjete jomonetare. Kontributi mbi kapitalin bazë përbëhet nga pajisje zyreje.

Më 19 prill 2023, me ndryshimin e emrit dhe adresës së kompanisë, Fatbardh Destani i paraqiti Flamur Nevzatovskit një ofertë për të marrë aksionet e tij themeluese. Në të njëjtën ditë ai u pranua dhe u morr nga Flamur Nevzatovski. Nga 25 prilli, Nevzatovski bëhet themelues dhe menaxher i vetëm i “AP Solutions”.

Kompania u paraqit në shpalljen e Lotarisë Shtetërore të publikuar më 16 gusht 2023 dhe mundi “Ritron Kopi DOOEL” të Kumanovës, duke ofruar çmim më të ulët për blerjen e terminaleve të lotarisë. Marrëveshja është lidhur më 9 nëntor 2023.

Në momentin kur Nevzatovski merr drejtimin e “AP Solutions”, aplikon dhe fiton tenderin e Lotarisë Shtetërore, ai është vetëm 19 vjeç. Në fund të nëntorit, Nevzatovski do të mbushë 20 vjet me një fillim tashmë të suksesshëm në biznes.

Ajo që lë vend për dyshime është angazhimi aktual i punës i 19-vjeçarit Nevzatovski. Sipas informacioneve të siguruara nga REL, të cilat u konfirmuan edhe përmes të dhënave në profilin e Nevzatovskit në Facebook, ai është punonjës i “Ritron Kopi”, kompania që ishte konkurrenti i vetëm i “AP Solutions” të tij në luftën për Lotarinë Shtetërore, tender me vlerë 204 825 euro.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar përmes telefonit kompaninë “Ritron Kopin” duke kërkuar të flasë me pronarin, Artan Ajruli. Në të njëjtën kohë pyetëm nëse personi Flamur Nevzatovski punon në kompaninë e tyre. Nga kompania na treguan se shefi është në një udhëtim jashtë vendit dhe se pyetjen ja dërguam në emailin e tij zyrtar.

Më pak se 20 minuta pas komunikimit telefonik dhe elektronik me “Ritron Kopin”, Nevzatovski ka ndryshuar identitetin e tij në rrjetin social – në vend të emrit Flamur Nevzadi, siç ishte më parë, ka vendosur një emër dhe mbiemër të ri (Sano Manjiro), një tjetër foto dhe e “mbylli” profilin për ata që nuk I në listën e miqve të tij.

REL dërgoi një mesazh në rrjetin social, ku kërkon përgjigje nga Nevzatovski – çfarë njohurish ka për tregtinë dhe aplikimin në tenderë duke pasur parasysh moshën e tij, ku do t’i marrë terminalet e Lotarisë, a është ndoshta pronar fiktiv i “AP Solutions”? Nga Nevzatovski nuk kemi marrë asnjë përgjigje.

Në ndërkohë Radio Evropa e Lirë vazhdoi të hetojë të dhënat e publikuara publike për kompaninë Ritron Kopi. Duke kërkuar në faqen Ritron Kopi në Facebook, kemi hasur edhe në foto të vitit 2016. Ata tregojnë një miqësi të përbashkët në kuadër të një panairi në Shkup mes pronarit të Ritron Kopi, Artan Ajruli dhe Përparim Bajrami, i cili në atë moment nuk ka asnjë pozicion në Lotarinë Shtetërore.

Nga janari 2022, periudha kur Perparim Bajrami merr postin drejtues si drejtor i përgjithshëm në shoqërinë aksionare, “Lotaria Shtetërore”, kompania “Ritron Kopi” del si fituese e tenderëve në shoqërinë aksionare.

Byroja për Furnizime Publike bën me dije se Lotaria Shtetërore ka lidhur gjashtë kontrata me këtë kompani për blerjen e televizorëve, pajisjeve kompjuterike dhe komunikuese, aparateve multifunksionale dhe stacioneve grafike të vizatimit televiziv. Kontratat janë lidhur në periudhën nga qershori 2022 deri në mes të tetorit 2023. Vlera e tyre është 22.463.034 denarë ose 365.252 euro.

“Hej DOOEL” – Nga Grubi Bela, përmes Mashoviqit deri te Jahoski

Siç ka bërë të ditur tashmë REL, objekti që ndodhet në rr. Hasan Prishtina nr. 57b në Vizbeg, Shkup, nga 5 korriku 2023, është hapësira e re e zyrës së Lotarisë Shtetërore. Pamja e jashtme ende nuk tregon se do të jenë ambiente të reja nga të cilat do të operojë shoqëria aksionare. Së fundmi nga çatia e objektit afarist është hequr edhe reklama me ndriçim e ish lokalit të dasmave “Festina”, e cila më herët e kishte dhënë hapësirën me qira. Por për momentin nuk ka ndryshime të tjera.

Sipas marrëveshjes së publikuar nga REL, Lotaria Shtetërore do t’i paguajë kompanisë “Hay DOOEL” një qira mujore prej gati 22 mijë euro në muaj për një periudhë 10 vjeçare. Në kontratë thuhet se pagesa e qirasë mujore do të fillojë nga data 15 korrik 2023. Kjo do të thotë se sipas kontratës, Lotaria Shtetërore duhet t’i kishte paguar kompanisë rreth 88 mijë euro për qiranë.

Një numër i madh i kompanive të vendosura në zonën industriale të Vizbegut gravitojnë rreth objekteve të reja afariste të Lotarisë Shtetërore. Disa prej tyre punojnë në ambientet e tyre, por disa marrin edhe objekte të të tjerëve me qira. Në një bisedë me disa biznesmenë na thanë se shuma për marrjen me qira të një objekti në këtë zonë është nga dy deri në tre euro për metër katror.

Hipotetikisht, sikur edhe të merret për bazë shuma prej tre eurove për metër katror dhe sipërfaqen prej 2426 metrash katrorë që “Hej DOOEL” i jep me qira Lotarisë Shtetërore, bëhet fjalë për 7278 euro në muaj, një çmim tregu tre herë më i lire, se ajo që “Hej DOOEL” e ngarkon Lotarinë Shtetërore – gati 22 mijë euro.

REL, tashmë më 31 tetor, dërgoi pyetje në Lotarinë Shtetërore në lidhje me afatin dhe periudhën se kur do të “vendosen” në ambientet e reja në Vizbeg. Gjithashtu pyetëm se sa para janë planifikuar për rikonstruimin dhe përshtatjen e ish-lokalit për dasma për nevojat e tyre. Në të njëjtën kohë, ne kërkuam shpjegim se pse Lotaria Shtetërore do të marrë me qira për 2.6 milionë euro hapësira për zyra, në vend që të blejë hapësira për zyra që do të jetë në pronësi të saj për atë shumë.

Mbrëmë (20 nëntor) ka kaluar edhe afati i fundit i paraparë me ligj në afat prej 20 ditëve ku Lotaria e Shtetit duheshte të jep përgjigje mbi kërkesën tone të parashtruar për qasje të lirë në informata me karakter publik. Aty kërkuam qasje deri te dokumentacioni i plotë i implementimit të thirrjes publike për huazimin e hapësirave të punës.

Deri tani, nuk kemi marr përgjigje as për pyetjet e adresuara, e as ka arritur ndonjë lajm për qasje eventuale në procedurën e realizuar.

Menaxhereja e pare e “Hej DOOEL”, vajza e axhës së Grubit

REL njoftoi gjithashtu se “Hey DOOEL” është themeluar më 2 shkurt 2023. Si pronar i parë i saj shënohet emri i Armin Mashovic, i cili në një kohë të shkurtër blen tokën dhe pasurinë e paluajtshme nga “Markoni Engineering” ku do të jenë ambientet e reja të Lotarisë Shtetërore për shumën prej 649 mijë euro.

Pas zyrtarizimit të marrëveshjes së shitblerjes dhe pas ndryshimit të pronësisë në Agjencinë e Kadastrës, “Hey DOOEL” e sapoformuar, si pronare e re e objekteve aplikoi dhe fitoi në thirrjen publike të Lotarisë së Shtetit për dhënien me qira të hapësirave të punës, në shpalljen e publikuar më 31 maj 2023 vit.

Vështrimi mbi historikun e ndryshimeve në Regjistrin Qendror shfaqet se që nga themelimi i “Hej DOOEL”, pra në periudhën nga 2 shkurti deri më 23 shkurt, Natyra Grubi Bela figuronte si menaxhere. Siç raportoi fillimisht REL, duke iu referuar të dhënave në profilin e saj në Linkedin, të cilat nuk ekzistojnë më pas publikimit të emrit të saj në storie, ajo është e punësuar si asistente ekzekutive në Ambasadën e Shqipërisë në Shkup.

Por REL mësoi se Natyra Grubi Bela është në fakt një e afërm, pra kusherirë e zv.kryeministrit Artan Grubi. Sigurimi i Grubit është vëllai i burrit të saj, Bekim Bela.

Bekim Bela shpesh shihet në shoqërinë e zëvendëskryeministrit, i cili e ndjek në ngjarjet e tij publike. Një nga ngjarjet e tilla ishte fillimi i ndërtimit të korridorit 8.

Pas fshirjes së Natyra Grubi Belës nga menaxherja e kompanisë, në vend të saj u fut Mashoviq, i cili ishte pronar i vetëm i saj deri më 26 tetor.

Pasi që REL njoftoi se Lotaria Shtetërore do të marrë me qira hapësirat e punës nga kompania e Armin Mashoviqit, ish-partner afarist i Erxhan Sulkoskit, i cili ishte i lidhur në biznes edhe me dhëndrin e vajzës së liderit të BDI-së, Kushtrim Smajlaj, erdhi koha edhe për një ndryshim të ri në pronësinë e kompanisë.

Më 26 tetor në Regjistrin Qendror është shënuar se pronar i ri është bërë Arsim Jahoski, shefi i “Pucko Petrol” dhe djali i ish-kryetarit të Komunës së Pllasnicës dhe deputet aktual nga radhët e BDI-së.

Por, një pasqyrë e historisë së ndryshimeve të kompanisë tregoi se ndryshimi i pronësisë së “Hey DOOEL” ndërmjet Masoviqit dhe Jahoskit ka ndodhur nëntë ditë më parë.

Më 17 tetor, Armin Mashoviq ja ofron pronësinë Jahoski përmes “Ofertës për marrjen e pjesës së ortakërisë”.

“Unë, Armin Mashoviq…Ju paraqes këtë ofertë që ta merrni pjesën time të ortakërisë, e cila përbëhet nga para në vlerë prej 5000 euro. Aksioni që është objekt i kësaj oferte është pa asnjë kufizim dhe transferimi i tij do të bëhet me tarifë. Nëse jeni të interesuar për aksionin e ofruar, ju lutem të më njoftoni brenda afatit të përcaktuar me ligj duke dhënë një deklaratë me shkrim për të marrë përsipër aksionin e ofruar”, thuhet në ofertë.

Në të njëjtën ditë Jahoski pranon ofertën “nën përgjegjësi të plotë materiale dhe penale deklaron se i pranon të gjitha të drejtat dhe detyrimet që dalin nga pjesa e marrë”.

Në të njëjtën ditë u bë marrëveshje për kalimin e pronësisë nga Armin Mashoviqi tek Asmir Jahoski për 5000 euro, aq sa është pjesa bazë monetare gjatë themelimit të kompanisë.

Me ndryshimet e fundit, Asmir Jahoski u bë pronar i “Hej DOOEL”, kompania e marketingut që për një periudhë prej një dekade do të arkëtojë mbi 2.6 milionë euro nga Lotaria Shtetërore për dhënien me qira të objekteve afariste.

Edhe vajza e pronarit të “Arbëria Design” me tender në Lotari

Investigimi i REL i publikuar më 17 tetor tregoi se promovimi dhe marketingu i Lotarisë Shtetërore kryhet nga kompani, pronarët e të cilave janë të lidhur ngushtë me pronarët e shtëpive botuese Arbëria Design dhe Ars Lamina.

Ndërkohë zbuluam një tjetër kompani të tillë që të çon te kompania Tetovare. Bëhet fjalë për “Media Group DOOEL”, e cila ka lidhur marrëveshje me Lotarinë Shtetërore për organizimin e takimeve, konferencave dhe manifestimeve afariste dhe korporative në shumë prej 4.130.000 denarë ose 67.154 euro.

Adresa e “Media Group DOOEL” në momentin e lidhjes së kontratës me Lotarinë Shtetërore (26.06.2023) është në rrugën Boro Vuliq 6/1-3. Adresa e “Arberia Design” është Boro Vuliq 6/lokal nr. 1.

Nga data 29 shtator, të dhënat e “Biznis mrezha” tregojnë se “Media Group DOOEL” po ndërron adresën e saj në rr. 19 Nëntori numër 3 në Tetovë. Një nga numrat e telefonit të lënë si kontakt në faqen e “Media Group DOOEL” është bukfalisht kontakt i njëjtë si për “Arbëria Design”.

Sipas të dhënave të “Biznis mrezha”, pronare e vetme e “Media Group DOOEL” është Ardita Iljazi, ish-Hamzai. Ardita është motra e Ermin Hamzait, i cili është një nga pronarët e “DEMNET DOO Shkup”, kompani e cila me Lotarinë Shtetërore ka lidhur katër tenderë në vlerë prej 3.422.000 denarë ose 55.642 euro. Në fakt, Ardita është vajza dhe Ermini djali i Hasim Hamzait, pronarit të Arbëria Design.

Rastësisht apo jo, më 26 qershor 2023, kontrata me Lotarinë Shtetërore ka lidhur edhe Ardita Iljazi (Hamzai) me “Media Group DOOEL” dhe “Arberia Design” të Hasim Hamzait, sipas të dhënave të publikuara nga Byroja për Furnizime Publike.

Por këto dy nuk janë të vetmet kompani që fituan tenderë në Lotarinë Shtetërore. Më 17 tetor Radio Evropa e Lirë raportoi se kompani të tilla që janë të lidhura me “Arbëria Design” përfshijnë “Litera Group DOOEL Shkup” në pronësi të Afet Iljazi dhe Dashmir Ademit, e cila ka fituar shtatë tenderë në Lotarinë Shtetërore për kontrata në vlerë prej 17.464.000 denarë ose 283.967. euro.

Në këtë listë është edhe një kompani tjetër me emër të ngjashëm – “Litera Akademi Sh.P.K Tetovë”, në pronësi të Vjosa Iljazit dhe Samije Limani Musliut. Ajo u themelua më 29 gusht 2022. Ka marrë një tender për “organizimin e trajnimeve brenda dhe jashtë vendit” në shumë prej 5.000.000 denarë ose 81.300 euro.

Policia Financiare nuk iu përgjigj pyetjeve të REL – nëse krahas hetimit mbi kontratën për qiranë e Lotarisë Shtetërore, po zhvillon hetim paraprak edhe tek kompanitë që marrin tenderë në shoqërinë aksionare.