BDI-ja kundër shfuqizimit të qeverisë teknike

BDI-ja kundërshton shfuqizimin e qeverisë teknike siç kërkoi ditë më parë VMRO DPMNE-ja. Sipas nënkryetarit të partisë, Bujar Osmanit opozita maqedonase këmbëngul për një gjë të tillë pasi është kundër kryeministrit shqiptar. Osmani nuk deshi të zbardh emrin e numrit “një” të qeverisë teknike që do të jetë nga radhët e BDI-së. Ai tha se emri i tij do të mësohet në fillim të dhjetorit. Osmani gjithashtu tha se muajin e ardhshëm liderët e partive politike do të ulen në tryezë për ta dakorduar datën e zgjedhjeve.

Marketing

“Unë mendoj se ky qëndrim i Mickovskit ka vetëm një qellim, të vazhdoje që fushata të bazohet vetëm në disa tema, Albanofobi, Eurofobi, Bullgarofobi etj. Sepse ato mendojnë se nuk do të hyjmë në garë të programeve shëndetësorë, programeve sociale, korrupsionit etj. Dhe dikush i ka këshilluar se nëse qëndroni në këto tema, flisni kundër shqiptarëve, nuk mundet kryeministër shqiptar, flisni kundër bullgareve, flisni kundër BE-së, dhe diku në disa fjalime filluan edhe kundër SHBA-së, dhe nuk është kundër qeverisë teknike për arsyen e ministrave apo zëvendësministrave por kundër kryeministrit shqiptar”, deklaroi Bujar Osmani, nënkryetar i BDI-së.

Ditë më parë VMRO DPMNE-ja kërkoi shfuqizimin e qeverisë teknike me arsyetimin se BDI-ja nuk ka kredibilitet të caktojë kryeministër teknik për shkak të aferave korruptive. LSDM-ja nga ana tjetër thotë se mund të bisedohet për shfuqizimin e qeverisë teknike por jo tani.

“Mundë të bisedohet për shfuqizimin e qeverisë teknike por kjo mbetet për ciklet e ardhshme zgjedhore sepse duhet edhe konsensus politik nga të gjitha partitë politike. Deklarata e tillë e DPMNE-së është në drejtim të konfirmimit se është krijuar ambient dhe se mbahen zgjedhje fer dhe demokratike, sigurisht të organizuara nga LSDM. Sa për rikujtim. Qeveria teknike u formua në periudhën kur në pushtet ishte VMRO-DPMNE dhe kur nuk kishte zgjedhje fer dhe demokratike, si rezultat i asaj i formua Qeveria Teknike”, u shpreh Darko Kaevski, zëdhënës i LSDM-së.

Deri më tani, dy partitë më të mëdha – VMRO-DPMNE-ja dhe LSDM-ja kanë emëruar nga një herë kryeministër teknik, Emil Dimitriev dhe Oliver Spasovski, por në qeverinë e ardhshme teknike kryeministri teknik i takon BDI-së në bazë të marrëveshjes së Ali Ahmetit dhe Zoran Zaev për formimin e qeverisë aktuale. /Alsat.mk