Fillon regjistrimi i shumëpërfolur i popullsisë në Malin e Zi

Shoqëruar nga frika prej përmbysjes së strukturës kombëtare të popullsisë vendase, në Mal të Zi nisi regjistrimi i shumëpërfolur i popullsisë.

Marketing

Pas disa shtyrjesh pozita dhe opozita në Malin e Zi arritën një marrëveshje për regjistrimin e popullsisë, të ekonomive familjare dhe të banesave. Drejtoria e Statistikave e Malit të Zi, Monstat njoftoi se në 15 ditët e ardhshme do të jenë në terren nga ora 08:00 deri në orën 20:00 rreth 3.000 regjistrues.

Kryeministri i i Malit të Zi, Millojko Spajiç, tha se regjistrimi është përgatitur mirë. “Kemi treguar që Mali i Zi ka institucione funksionale dhe njerëz të përgjegjshëm , të gatshëm të ndërtojnë ura për të ardhmen evropiane”, u shpreh ai.

Kurse nga radhët e partisë së kryeministrit “Lëvizja Evropa Tani” thuhet se regjistrimi “do të ketë legjitimitet të plotë pas hapit të madh që ndërmori qeveria dhe shumica parlamentare duke përmbushur të gjitha kërkesat e opozitës.

Kryeparlamentari, Andrija Mandiç, tha: Patëm sukses që të arritëm marrëveshje me opozitën dhe se pritja 3-vjeçare ia vleu.

Qasje dhe kontroll më i madh nga opozita

Në këtë regjistrim opozita do të ketë qasje dhe kontroll më të madh, nga sa ka pasur në regjistrimin e viteve 2003 dhe 2011.

Danijel Zhivkoviç, nga partia më e madhe opozitare, ajo Demokratike e Socialisteve u bëri ftesë qytetarëve të Malit të zi që të deklarohen lirisht. Të njëjtën gjë e bënë edhe përfaqësuesit e Partisë Socialdemokrate dhe asaj Boshnjake.

Temë e rëndësishme politike

Në Malin e Zi regjistrimi i popullsisë ishte për një kohë të gjatë tema numër një politike. Procesi u problematizua dhe shkaktoi përplasje të shumta politike ndërmjet grupimeve pro malazeze dhe pro serbe. Analistët e zhvillimeve politike thonë se nëse serbët do të dalin numerikisht më shumë, atëherë mund të përmbyset struktura kombëtare e popullsisë në Mal të Zi.

Regjistrimi i fundit në Malin e Zi u bë në vitin 2011. Sipas rezultateve të asaj kohe 45% e qytetarëve u deklaruan si malazezë, 29% serbë, 9% boshnjakë, 5% perqind shqiptarë, 3% myslimanë dhe 1% kroatë e romë.

Ndikimi serb

Beogradi dhe Kisha Ortodokse Serbe janë përzier jo rrallë në procesin e regjistrimit. Beogradi është përpjekur të përdorë identitetin serb në radhët e popullasë së Malit të Zi për të forcuar praninë e tij dhe për të rritur ndikimin në rajon.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, publikisht ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së serbëve në regjistrimin e popullsise, duke shtuar se nuk do të ketë ndërhyrje të Serbisë, por se ka rëndësi që populli serb të mos zhduket.

Po ashtu subjektet politike pro-serbe në Mal të Zi vazhdimisht potencojnë kulturën, fenë dhe historinë e tyre te përbashkët me serbët, duke shfrytëzuar për këtë faktin që shumë malazez ngurrojnë të zhvishen nga identiteti serb.

Nga ana tjetër në momentin e fillimit të regjistrimit Kryetari i Partisë Evropiane malazeze, Novak Axhiç, tha se ne nuk heqim dorë nga kombi, gjuha dhe kisha malazeze dhe se kurrfarë presionesh nuk do te ndikojnë që të deklarohemi ndryshe. /DW