Në UT u shënua Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Veçanta

Katedra e Edukimit Special dhe Rehabilitimit e Fakultetit Pedagogjik të Universitetit të Tetovës sot përmes një manifestimi e ka shënuar 3 Dhjetorin – Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Veçanta. Për ta shënuar në mënyrë sa më dinjitoze këtë datë, studentët dhe profesorët e kësaj katedre në bashkëpunim me paralelet me nevoja të posaçme të shkollës fillore “Liria” ne Tetovë organizuan disa aktivitete të tjera me qëllim promovimin e të rejtave, mirëqenies si dhe rritjen e ndërgjegjësimit të popullatës mbi këtë kategori të shoqërisë.

Marketing

Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli, në hapjen e këtij manifestimi u shpreh se Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Veçanta është një ditë shumë e veçantë sepse thekson rëndësinë e përfshirjes dhe barazisë në komunitetin tonë global e cila shënohet duke festuar qëndrueshmërinë, forcën dhe kontributet unike të individëve me aftësi të veçanta.

“Ndërsa përkujtojmë këtë ditë, le të reflektojmë mbi progresin e bërë në promovimin e aksesit dhe heqjen e barrierave që pengojnë pjesëmarrjen e plotë të personave me aftësi të veçanta në të gjitha aspektet e shoqërisë. Është e domosdoshme që ne të vazhdojmë të avokojmë për mundësi të barabarta, duke u siguruar se të gjithë, pavarësisht nga aftësitë, mund të angazhohen plotësisht në arsim, punësim, kujdes shëndetësor dhe aktivitete sociale. Ne duhet të përpiqemi t’u mundësojmë atyre një botë ku jo vetëm barrierat fizike, por edhe qëndrimet dhe paragjykimet shoqërore do të shpërbëhen. Ndërsa reflektojmë për këtë ditë, ne duhet të vlerësojmë forcën me të cilën këta persona e përballojnë përditshmërinë. Prandaj, duhet të bëjmë përpjekje maksimale për një shoqëri më inkluzive dhe të respektojmë diversitetin në të gjitha format e tij.” – tha Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli.

Dekani i Fakultetit Pedagogjik të Universitetit tonë Prof. Dr. Lulzim Memeti në fjalën e tij u shpreh se një ndër kërkesat e arsimit sot është gjithëpërfshirja dhe arsimimi i fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore dhe përgatitja e tyre për të qenë të barabartë, për një jetesë të pavarur dhe për funksionim në shoqëri. “Fatkeqësisht personat me nevoja të veçanta janë ende në margjinat e shoqërisë. Duke e pasur parasysh nevojën e mungesës së kuadrit për fëmijët me nevoja të veçanta arsimore, në vitin 2013 akredituam programin studimor të Edukimit Special dhe Rehabilitimit, program ky i cili zgjoi interes të madh te maturantët, në veçanti tek ata me sukses të shkëlqyeshëm të cilët pa hamendje u regjistruan në këtë drejtim. Rezultatet e këtij programi studimor, sot i shohim tek armata e edukatorëve dhe rehabilituesve specialë të cilët japin kontribut në trajtimin e fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore në shkollat fillore dhe të mesme, në institucione shtetërore dhe private, si dhe në organizatat e ndryshme joqeveritare, themelues të të cilave janë pikërisht ish- studentët tanë.” – theksoi Prof. Dr. Lulzim Mehmeti.

Në manifestimin kushtuar 3 Dhjetorit – Ditës së Personave me Aftësi të Veçanta u shënua edhe 10-vjetori i hapjes së Katedrës së Edukimit Special dhe Rehabilitimit në Fakultetin Pedagogjik të UT-së. Përgjegjësi i kësaj katedre Prof. Dr. Buniamin Memedi tha se para 10 vjetëve janë regjistruar 33 studentët e parë në programin studimor të Edukimit Special dhe Rehabilitimit dhe para 3 vjetëve regjistruam 21 studentë në gjeneratën e parë të studentëve në studimet pasdiplomike në tre programe. “Këtë përvjetor regjistruam edhe 17 studentë në programin e ri të Logopedisë.
Kontribuam në zhvillimin profesional të studenteve por edhe të stafit akademik. Sot në katedër kemi 4 doktorë shkencash shqiptarë dhe një maqedonase. Të gjithë asistentët kanë gradën shkencore magjistër, ndërsa 3 prej tyre janë në shkollën e doktoraturës. Tani pas 10 vjetëve të akreditimit të programit tonë studimor kemi mbi 200 edukatorë specialë dhe rehabilitatorë të diplomuar. Në 27 shkolla të vendit janë punësuar 27 bashkëpunëtorë profesionalë edukatorë specialë dhe rehabilitatorë, të cilët kanë arritur kompetenca të larta prfesionale për t’u ballafaquar me sfidat e problemeve, vështirësive, pengesave, dëmtimeve e deri te çrregullimet e spektrit të autizmit. 31 janë të punësuar në cilësinë e asistentit arsimor, 34 të punësuar nëpër OJQ, 1 i punësuar në Gjermani dhe
një në Zvicër.” – u shpreh Prof. Dr. Buniamin Memedi.

Për nder të kësaj dite u mbajt edhe një punëtori me titull “Strategjitë efektive për mbështetjen e nxënësve me nevoja të veçanta në ambientet e mësimit” nga Fidan Nuhiu. Kjo punëtori, ishte shumë e frytshme dhe u theksua vlera e klasës si një familje, ku të gjithë janë të  barabartë. Diskutimet përfshinë rolin e mësueses, asistentes dhe bashkëpunëtorëve profesionalë. Në fokus ishin nxënësit me aftësi të kufizuara intelektuale, me autizëm, vështirësitë në të nxënë veçanërisht disleksia dhe u prezantuan strategji të përshtatshme për të përmirësuar qasjen ndaj këtyre sfidave.
Pjesëmarrësit në këtë punëtori u ndanë shumë të kënaqur dhe në fund u pajisën edhe me certifikata nga ana e Fakultetit Pedagogjik për pjesëmarrjen dhe kontributin e dhënë në këtë sesion shumë të rëndësishëm pedagogjik.