Lidhja Europiane për Ndryshim sot përmes një kumtese ka akuzuar BDI-në dhe ministrin e Jashtëm, Bujar Osmani se po tenton kthimin e Gruevskit në Maqedoni, ku mes tjerash akuzojnë Osmanin për një takim me ish-kryeministrin në Budapest më datë 06.09.2023 në Budapest, përcjellë Klan M.
Ja kumtesa e plotë:
“BDI akoma me mish e me shpirt mundohet që Nikolla Gruevskin ta kthejë në Shkup “pa therë në këmbë”, sepse kthimi i tij nga Budapesti, sipas kësaj partie, do të thotë shumë. Do të thotë shumë, sepse të vetmin shpëtim BDI e sheh pikërisht te kthimi i Gruevskit. Është kjo një ëndërr e BDI-së, por për fatin e tyre të keq, realiteti aktual nuk është ëndërr, por dëshmi që tregon se në Maqedoninë e Veriut kemi përkeqësim të gjendjes në çdo aspekt dhe në çdo sferë.
Tashmë ka dëshmi se BDI, përmes formave të ndryshme, është në kontakt me Gruevskin, me të cilin shqyrtohen mundësitë e kthimit të tij, nga i cili do të varej fati i ardhshëm i BDI-së, bashkë me LSDM-në.
Ndaj pyesim publikisht se si kaloi darka e ministrit Bujar Osmani me Gruevskin me 06.09.2023 në Budapest? Çfarë shije pati kjo darkë dhe si do të realizohet kthimi “triumfal” i Gruevskit?“ – thuhet në kumtesën e Lidhjes Europiane për Ndryshim.