Ukrainasit vrasin ish-deputetin që akuzoi Zelenskin si përdorues kokaine

Shërbimi sekret ukrainas SBU ka publikuar pamjet e vrasjes së ish-deputetit Ilya Kiva, i cili u ekzekutua prej tyre në Rusi, ku kishte shkuar për t’i kërkuar Vladimir Putinit azil politik dhe pasaportë ruse.

Marketing

Pamjet e skenës së krimit janë marrë në mjediset e mbrojtura të Klubit Velich Country. Klubi është vetëm 12 milje larg rezidencës kryesore zyrtare të Putinit, Novo-Ogarevo, jashtë Moskës, dhe më pak se 30 milje larg nga Kremlini.

Thuhet se Kiva jetonte në ambientet e hotelit të klubit. Një video, e marrë nga autori i dyshuar në vendngjarje pak para të shtënave, e tregon atë mes borës dhe pemëve, duke pritur që një burrë të kalojë.

Imazhet e bëra publike janë një mesazh dhe paralajmërim se fati i njëjtë do t’i presë të gjithë ukrainasit që e çojnë nëpër mend të tradhtojnë Kievin duke bashkëpunuar me forcat pushtuese të Putinit.

“Ky është një mesazh për të gjithë tradhtarët dhe kriminelët e luftës që kanë kaluar në anën e armikut. Mbajeni mend, Rusia nuk do t’ju mbrojë…Vdekja është e vetmja perspektivë që i pret armiqtë e Ukrainës”, ishte mesazhi që u përçua pas publikimit të pamjeve.

Ndërkohë, zëdhënësi i SBU-së Andrey Yusov i tha një televizioni ukrainas: “Ne mund të konfirmojmë se Kiva nuk ekziston më. Ky do të jetë fati i të gjithë tradhtarëve ukrainas dhe marionetave të regjimit të Putinit”.

Publikimi i imazheve dhe videove nga skena e atentatit vjen pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u takua me shefin e SBU, Vasyl Maliuk për të diskutuar përpjekjet për të goditur ata që punojnë me Rusinë, raportoi Ukrinform.

Sakaq, ish-deputeti Kiva njihej si një propagandist i Kremlinit. Ai u shfaq edhe në televizionin shtetëror duke pohuar se Zelensky ishte një agjent i MI6 dhe i varur nga kokaina.

Më parë ai kishte shëbyer si oficer policie dhe zyrtar qeveritar, pasi kishte udhëhequr Partinë Socialiste në Parlamentin e Ukrainës në 2017-19 dhe kandiduar për presidencën e Ukrainës në 2019.

Kiva u dënua në mungesë nga një gjykatë ukrainase me 14 vjet burg pasi akuzohej për tradhti dhe nxitje për dhunë. Vrasja e tij vjen rreth dy muaj pasi një tjetër ish-deputet pro-rus i parlamentit ukrainas, Oleg Chariov, i mbijetoi një atentati në Krime.

Disa përkrahës rusë të luftës janë vrarë që nga fillimi i luftës në operacionet që Moska ia atribuon Ukrainës, duke përfshirë gazetaren Daria Dugina, blogerin e luftës Vladlen Tatarski dhe ish-komandantin e nëndetëseve Stanislav Rzytski.