Skandaloze: Ministria e Arsimit shkurton në mënyrë drastike bllok dotacionet për arsim fillor për Komunën e Çairit

Të nderuar qytetarë, sot jemi këtu bashkë me drejtorët e shkollave fillore të Komunës së Çairit dhe Sektorin e arsimit dhe të Financave pranë Komunës tonë për të ngrit shqetësimin lidhur me shkurtimin drastik të bllok dotacioneve për arsimin fillor të Komunës së Çairit nga Qeveria, gjegjësisht Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Marketing

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, planifikimi i bllok dotacioneve për arsimin fillor për vitin 2024 për Komunën e Çairit nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut është 525 milionë denarë nga të cilat vetëm për rroga të punëtorëve në 10 shkollat fillore si dhe regresi i cili nga ky vit është i obligueshëm, kap shifrën e 500 milionë denarëve dhe pjesa e mbetur prej 25 milionë denarëve është tepër e vogël për mbulimin e të gjitha harxhimeve tjera si: ngrohjen qendrore, pra naftën për ngrohje, energji elektrike harxhimet e tjera elemetare për të funksionuar mësimdhënia, mirëmbajtja e objekteve, transporti i nxënësve e kështu radhë.

Pra kjo shumë, që na i ka ndarë Ministria e Arsimit në formë të bllok dotacionit për 10 shkollat e Komunës së Çairit nuk është aspak e mjaftueshme për funksionimin adekuat të procesit edukativo arsimor.

Urgjentisht kërkojmë nga Qeveria dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës të rishqyrtojnë këtë vendim sepse kështu dëmtojnë 10 shkollat fillore dhe rreth 10 mijë nxënës të cilët e kemi obligim moral tju sigurojmë kushte të mirëfillta për mësim dhe jo lëmoshë.

Shkurtimin e bllok dotacioneve ne e vlerësojmë vetëm edhe si një lojë tinëzake të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës edhe atë në kurriz të fëmijëve, të nxënësve, të ardhmërisë tonë.

Qeveria bashkë me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës në vend që të fokusohet në sigurimin e kushteve sa më të mira për shkollat rrjedhimisht për arsimin, ata po shkurtojnë buxhetin për arsimin, në vend që të sigurojnë libra e tekste shkollore që ende mungojnë edhe pse jemi në fund të gjysmë-vjetorit të parë, ata pa mëshirë po shkurtojnë buxhetin e arsimit, në vend që të ngritin arsimin në piedestalin më të lartë ata po e përçmojnë arsimin.

Rezultatet e PISA-s janë vetëm edhe një dëshmi se sistemi ynë arsimor ka marrë kahjen e gabuar pikërisht me veprimet e këtilla që po e dëmtojnë arsimin.

Marketing