Me notën mesatare 6.7 emërohet docent në Universitetin e Tetovës!

Forumi për Ndryshime në Arsim akuzon Ministrinë e Arsimit për heshtje në rastin e avancimit kundërligjor të një profesori të USHT-së.

Marketing

Sipas drejtuesve të Forumit, Agron Alili ka fituar thirrjen shkencore docent nga fakulteti i shkencave matematiko-natyrore pa i përmbushur kushtet elementare, përkatësisht titulli i është dhënë me mesataren prej 6.7 apo shumë me notë më të dobët se ajo që kërkohet me ligj.

Blendi Hodai tha se mos veprimin e tij, Ministri Shaqiri po mban në jetë me ‘oksigjen’ një prej shumë personave që ka ndikuar në uljen e nivelit të arsimit në vend.

“Me 23 prill të këtij viti arritën denoncime deri te Forumi për Ndryshime në Arsim se Agron Alili, i angazhuar si profesor në fakultetin e shkencave matematiko-natyrore pranë Universitetit të Tetovës, është avancuar me titullin docent në kundërshtim me ligjin. Më 14 korrik, pas kërkesës tonë u vërtetua se Agron Alili është avancuar kundërligjshëm, përkatësisht me mesatare 6.7 dhe nuk e ka gradën nga fusha shkencore për të cilën është përzgjedhur. Pas kësaj, lënda kalon në dorë të ministrit Jeton Shaqiri ndërsa sot që flasim edhe pse kanë kaluar 6 muaj, ministri s’ka lëvizë as edhe një gurë në drejtim të sanksionimit të këtij profesori, ashtu siç e kërkon ligji”, tha Blendi Hodai, Forumi për Ndryshime në Arsim.

Nga Forumi për Ndryshime në Arsim gjithashtu thonë se i njëjti profesor që sipas tyre është avancuar në mënyrë të kundërligjshme është edhe donator i Bashkimit Demokratik për Integrim.

“Rastësi ose jo, përkundër shkeljeve të konstatuara, i ‘paprekshmi’ i ministrit Shaqiri, Agron Alili në vitin 2021, një vit pas avancimit të kundërligjshëm ka donuar 180 mijë denarë apo rreth 3 mijë euro partisë në pushtet, Bashkimit Demokratik për Integrim. Tre, katër apo pesë mijë – ne në Forumin për Ndryshime në Arsim nuk e dimë se sa mund të kushtojë një avancim në kundërshtim me dispozitat ligjore. Por një gjë është e sigurt, as tre, as katër, e as pesë mijë euro nuk mund që të paguajnë çmimin e lartë të degradimit të arsimit në vend”, u shpreh Blendi Hodai, Forumi për Ndryshime në Arsim.

I kontaktuar nga Alsat, Ministri Shaqiri tha se ka është kërkuar përgjegjësi nga USHT-ja dhe se shërbimet e Ministrisë po ndërmarrin të gjitha veprimet juridike për këtë rast.

“Në rast se nuk ka bazë për dhënien e titullit, atëherë do të kërkohet respektimi i të gjitha dispozitave ligjore për arsim të lartë”, thonë nga Ministria e Arsimit. /Alsat.mk

Marketing